Fatale për trajnerin italian janë 4 humbjet në po kaq ndeshje të Ligës së Kombeve, si dhe Botërori mjaft zhgënjyes.
Federata Turke e Futbollit (TFF) ka vendosur ta shkarkojë trajnerin Vincenzo Montella pas humbjeve të fundit. Rezultatet e dobëta në Ligën e Kombeve dhe Botërori modest, ku Turqia nuk kaloi dot as grupin, janë arsyet e këtij vendimi, që pritet të marrë formë zyrtare, sipas medieve turke.
“Është marrë vendimi për të shkarkuar trajnerin Vincenzo Montella”, – shkruan e përditshmja “Milliyet”. Drejtuesit e TFF-së kanë vendosur që t’i japin trajnerit – që përfiton 183.000 euro në muaj — 5 paga mujore për mbylljen e bashkëpunimit me konsensus.
Montella u emërua trajner i Turqisë në vitin 2023. Mes ndeshjesh zyrtare dhe miqësore, ai e ka drejtuar këtë skuadër 40 herë, duke regjistruar 21 fitore, 14 humbje dhe 5 barazime. Në 7 ndeshjet e fundit, ku përfshihen Botërori dhe Liga e Kombeve, ka vetëm 1 fitore dhe 6 humbje.
Sipas shtypit turk, shkarkimi duhet të zyrtarizohet të premten. Presidenti i TFF-së, Ibrahim Haciosmaoglu, i cili është kritikuar për rezultatet zhgënjyese, pritet të nisë bisedimet me Arda Turan, aktualisht trajner i Shakhtar Donetsk. Ai shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin kombëtares së Turqisë.
Lini një Përgjigje