Çmimi Nobel në Kimi për vitin 2026 iu dha Henri Kagan-it nga Universiteti Paris-Sud në Francë dhe Kenso Soai-t nga Universiteti i Shkencës në Tokio të Japonisë për punën e tyre mbi të ashtuquajturat "molekula pasqyrë", një zbulim që ka ndryshuar mënyrën se si prodhohen shumë substanca kimike.

Dy shkencëtarët arritën të gjenin një mënyrë për të krijuar vetëm njërën nga dy format që mund të ketë e njëjta molekulë. Këto forma janë si dora e djathtë dhe dora e majtë: duken njësoj, por nuk mund të mbivendosen plotësisht. Në kimi ky fenomen quhet kiralitet.

Ky ndryshim mund të duket i vogël, por ka rëndësi të madhe. Në shumë raste, njëra formë e molekulës jep efektin e dëshiruar, ndërsa tjetra jo. Për këtë arsye, zbulimi i Kagan dhe Soai ka gjetur përdorim në fusha si prodhimi i ilaçeve, aromave dhe substancave të tjera kimike.

Një shembull i thjeshtë është limoneni, molekula që gjendet te agrumet. Kur ajo ka një orientim të caktuar, aroma perceptohet si portokall, ndërsa kur orientimi është i kundërt, aroma ngjan me atë të limonit. Pra, e njëjta molekulë mund të japë përshtypje krejt të ndryshme vetëm për shkak të mënyrës se si është "ndërtuar" në hapësirë.

Shkencëtarët treguan gjithashtu se është e mundur të rritet sasia e njërës prej këtyre formave dhe madje ta krijojnë atë përmes një procesi të quajtur autokatalizë. Kjo do të thotë se produkti i krijuar ndihmon vetë që reaksioni kimik të vazhdojë edhe më shpejt, duke prodhuar gjithnjë e më shumë të njëjtën formë të molekulës.

Kenso Soai se ishte duke bërë pazar kur mori lajmin për çmimin

"Është një nga ditët më emocionuese të jetës sime. Jam shumë i lumtur që e ndaj këtë çmim me profesor Henri Kagan", tha ai për Komitetin Nobel.

Soai theksoi gjithashtu se kiraliteti i aminoacideve është thelbësor për formimin e ADN-së dhe, rrjedhimisht, për jetën siç e njohim sot. Sipas tij, shkenca ende nuk ka një përgjigje përfundimtare se si u krijua kjo veçori në natyrë.

"Kjo nuk është përgjigjja përfundimtare. Kjo fushë duhet të zhvillohet edhe më tej për të kuptuar jetën", u shpreh ai.

Edhe Peter Somfai, anëtar i Komitetit Nobel, tha se zbulimet e Henri Kagan dhe Kenso Soai kanë ndryshuar mënyrën se si shkencëtarët e kuptojnë krijimin, përforcimin dhe transmetimin e këtyre "molekulave pasqyrë".

Çmimi Nobel në Kimi është ndarë 117 herë që nga viti 1901, ndërsa deri më sot janë vlerësuar gjithsej 198 shkencëtarë. Laureati i parë ishte kimisti fizik holandez Jacobus Henricus van't Hoff, i cili u shpërblye për studimet mbi mënyrën se si ndërveprojnë substancat kimike në tretësira.

Mes fituesve më të njohur është Marie Curie, gruaja e parë që mori një Çmim Nobel dhe personi i parë në histori që fitoi dy të tillë. Pasi u vlerësua fillimisht me Nobelin në Fizikë, ajo mori edhe Çmimin Nobel në Kimi në vitin 1911 për punën mbi poloniumin dhe izolimin e radiumit të pastër.

Një tjetër emër që ka hyrë dy herë në historinë e këtij çmimi është Frederick Sanger. Ai fitoi Nobelin në vitin 1958 për kërkimet mbi aminoacidet që përbëjnë insulinën dhe sërish në vitin 1980 për zhvillimin e një metode që bëri të mundur përcaktimin e renditjes së ADN-së.