Me foshnjën vetëm 3 muajshe në krah, Greta Gjoci është dërguar këtë të mërkurë në burgun e Pojskës për të vuajtur një dënim me 6 vite e 8 muaj burg për mashtrim kompjuterik në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që mashtronte italianët përmes Call Center-ave, duke përvetësuar 4.7 mln euro. Burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi thanë se nëna dhe foshnja 3-muajshe janë vendosur në seksionin e posaçëm të burgut ku ndodhet edhe çerdhja.
Gjoci është një nga 6 gratë e dënuara si pjesë e grupit të Bruno Çobos. 5 prej tyre i janë drejtuar Gjykatës së Posaçme për të kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, për shkak të fëmijëve të mitur dhe rrethanave familjare. Ndërkohë që 4 gra me fëmijë janë tanimë në burgun e Pojskës në Korçë.
Mbrojtja e Greta Gjocit e ka depozituar kërkesën më 5 tetor, ditën kur Apeli la në fuqi dënimet me rreth 110 vite burg për 16 të pandehurit e grupit, përfshirë këtu edhe drejtuesin Bruno Çobo. Mbrojtja e Gjocit kërkon shtyrjen e ekzekutimit të dënimit duke u mbështetur në nenin 476 të Kodit të Procedurës Penale.
Ligji parashikon se, kur e dënuara është shtatzënë ose ka një fëmijë nën një vjeç, gjykata mund të shtyjë ekzekutimin e vendimit derisa fëmija të mbushë një vjeç. Por, pavarësisht se bëhet fjalë për një nënë me një foshnjë 3-muajshe, e cila ende ushqehet me gji, Gjykata nuk e ka marrë në konsideratë këtë parashikim të vetë Kodit.
Në kërkesën drejtuar GJKKO-së, mbrojtja argumenton se foshnja e Gjocit është vetëm 3 muajshe dhe ndodhet në fazën e ushqyerjes me gji, ndaj, sipas avokatit Ndue Marku, izolimi i nënës në burg do të krijonte pasoja për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës.
“Foshnja është në një moshë tejet delikate (3 muajsh) dhe ndodhet në fazën e ushqyerjes ekskluzive me gji nga nëna e tij (kërkuesja). Izolimi i menjëhershëm i nënës në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale do të cenonte në mënyrë të pariparueshme shëndetin, jetën dhe zhvillimin e fëmijës së mitur”, thuhet në kërkesë.
Një tjetër argument i mbrojtjes është se Gjoci ka respektuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe, sipas avokatit deri më tani nuk ka shfaqur asnjë tendencë për t’iu shmangur drejtësisë. Për këtë arsye, mbrojtja pretendon se shtyrja e ekzekutimit të vendimit nuk do të krijonte rrezik që Gjoci të arratisej.
“Kërkuesja ka respektuar me rigorozitet maksimal masën e sigurimit ‘Arrest në shtëpi’ dhe nuk ka shfaqur asnjë tendencë për t’iu shmangur drejtësisë. Ajo kërkon thjesht mbrojtjen që ligji i ofron foshnjës së porsalindur”, thuhet në kërkesë.
Mbrojtja i kërkon urgjentisht GJKKO-së pezullimin e urdhrit të ekzekutimit të vendimit me burg ndaj Greta Gjocit, deri në momentin që gjykata të shqyrtojë kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit, siç e parashikon edhe Kodi i Procedurës Penale. Po ashtu kërkohet që deri në marrjen e vendimit, Gjoci të qëndrojë nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Përpos Gjocit, në Gjykatën e Posaçme kanë mbërritur kërkesa edhe nga katër të dënuara të tjera të së njëjtës dosje: Elisa Çaçi, e dënuar me 7 vite e 4 muaj burg, si dhe Rezarta Ibrahimi, Antoneta Malo dhe Silvana Veliu, secila e dënuar me nga 6 vite e 8 muaj burg.
Çfarë thotë neni 476 i Kodit të Procedurës Penale?
Dënimet e Apelit të GJKKO për gratë që kanë kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit
Elisa Çaçi- 7 vite e 4 muaj burg
Rezarta Ibrahimi- 6 vite e 8 muaj burg
Greta Gjoci- 6 vite e 8 muaj burg
Antoneta Malo- 6 vite e 8 muaj burg
Silvana Veliu- 6 vite e 8 muaj burg


