Ministri i Punëve të Brendshme , Ervin Demo dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, kanë mbajtur një fjalim në ceremoninë së fillimit të studimeve Bachelor në Akademinë e Sigurisë.
Duke iu drejtuar studentëve të rinj, ministri Demo theksoi se uniforma e Policisë së Shtetit është mbi të gjitha përgjegjësi dhe se autoriteti që buron nga ligji duhet të ushtrohet me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet.
Sipas ministrit, sfidat e reja të sigurisë kërkojnë një polici të mbështetur te dija, teknologjia, përgatitja profesionale dhe parandalimi, ndërsa brezi i ri duhet të jetë pjesë e standardit të ri që synohet për Policinë e Shtetit.
“Uniforma e shtetit është përgjegjësi, nuk është privilegj. Autoriteti që jep ligji duhet ushtruar me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe integritet”, tha ai.
“Një standard i ri unë besoj që fillon nga brezi i ri, e unë jam i bindur që ju do të jeni shembulli më i mirë i asaj çfarë ne duam të projektojmë për të ardhmen, gjithmonë duke ndjekur eksperiencën e ndërtuar prej vitesh e vitesh në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur praktikat më të mira të konsoliduara në Policinë e Shtetit, gjithmonë duke ndjekur të gjithë atë që është realizuar me shumë mund dhe në kohë të vështira, nga të gjithë ata të cilët kanë qenë pjesë e trupës së Policisë së Shtetit”, nënvizoi ministri.
Nga ana tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita e cilësoi hyrjen e maturantëve në Akademinë e Sigurisë si një moment të rëndësishëm për rigjenerimin e Policisë.
Ai tha se institucioni ka nevojë për energjinë, mentalitetin dhe fytyrën e re të brezit të ri, duke e lidhur këtë proces drejtpërdrejt edhe me forcimin e besimit të qytetarëve te Policia.
“Policisë së Shtetit i duhet brezi i ri, energjia, mentaliteti dhe fytyra e re, komponentë që ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve te Policia.
Në tri vitet e fundit, që kur kemi hapur dyert e Akademisë për maturantët, interesi ka qenë shumë i lartë. Mijëra të rinj e të reja kanë zgjedhur Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” për të ndjekur studimet Bachelor dhe sot, pas një procesi konkurrues dhe transparent, janë 390 maturantë që ndjekin këto studime.
Sot, Akademia e Sigurisë është zhvilluar në çdo drejtim. Ajo është e binjakëzuar dhe anëtare e bordeve të akademive prestigjioze në rajon, Evropë dhe SHBA. Ka në dispozicion literaturë të akademisë italiane, si dhe ambiente e laboratorë të përshtatshëm për të përmbushur sa më mirë procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.” – tha ai ndër të tjera.













