"Nuk dua pafajësi, por shtyrje të dënimit" - Lutja e nënës me foshnjen 4-muajshe që u dënua me 6.8 vite burg nga Apeli i GJKKO-së!

7 Tetor 2026, 12:50Kronika TEMA
"Nuk dua pafajësi, por shtyrje të dënimit" - Lutja e

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimin ndaj Greta Gjocit (Pepa), duke e dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj burgim, në kuadër të dosjes së call-centerit të drejtuar nga Bruno Çobo.

Vendimi i datës 5 tetor 2026 la në fuqi vendimin e shkallës së parë për 16 të pandehurit e kësaj çështjeje, ndërsa për Gjocin tashmë është hapur një tjetër betejë ligjore: shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Burime për VoxNews pohuan se, Greta Gjoci është nënë e një foshnjeje vetëm 4-muajshe.

Pikërisht kjo rrethanë është bërë pjesë e kërkesës së mbrojtjes, e cila i është drejtuar gjykatës më 5 tetor, duke kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit penal.

Operatorja dënohet sa "kokat" e call center-it

Në vendimin nr. 66, datë 27 tetor 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e deklaroi Greta Gjocin fajtore për “mashtrim kompjuterik” në bashkëpunim të veçantë, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale të “grupit të strukturuar kriminal”.

Për veprën kryesore, gjykata caktoi 10 vite burgim, ndërsa për pjesëmarrjen në grupin e strukturuar kriminal 2 vite burgim.

Pas bashkimit të dënimeve dhe aplikimit të uljes me një të tretën për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar u përcaktua në 6 vite e 8 muaj burgim.

Gjykata përcaktoi gjithashtu që ekzekutimi i dënimit të fillonte nga ekzekutimi i masës së arrestit në shtëpi dhe që dënimi të vuhej në një institucion të sigurisë së lartë.

Mbrojtja kërkon shtyrjen e dënimit për shkak të foshnjes

Avokati i Greta Gjocit i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke iu referuar nenit 476, pika 1, shkronja “b” të Kodit të Procedurës Penale.

Kjo dispozitë parashikon mundësinë e shtyrjes së ekzekutimit kur një grua e dënuar është shtatzënë ose ka një fëmijë nën moshën një vjeç.

Pra, beteja e re juridike nuk lidhet me pafajësinë apo me ndryshimin e dënimit prej 6 vitesh e 8 muajsh.

Ajo lidhet me momentin dhe mënyrën se si do të ekzekutohet ky dënim. Mbrojtja kërkon që gjykata të marrë në konsideratë rrethanat familjare dhe moshën e foshnjës.

Nëna me foshnjen 4-muajshe drejt burgut

Greta Pepa është shoqëruar gjatë ditës së sotme drejt institucionit të vuajtjes së dënimit dhe me të ndodhet edhe foshnja e saj 4-muajshe.

Burime për VoxNews thanë se, Greta Pepa ka punuar si operatore call center-i. Ajo nuk rezulton të ketë qenë pronare e call center-it dhe as drejtuesja e grupit. Në dosjen për të cilën është dënuar, si drejtues i grupit identifikohet Bruno Çobo, i cili ka marrë dënimin më të lartë, 8 vjet burgim kurse punonjësja Greta Gjoci është dënuar me 6 vjet e 8 muaj.

Një tjetër detaj i konfirmuar nga Vox News lidhet me gjendjen ekonomike të Greta Pepës. Ajo jeton prej vitesh në një banesë me qira.

Një nënë që hyn në institucionin e vuajtjes së dënimit së bashku me një fëmijë katër muajsh ngre një pyetje që tashmë nuk lidhet vetëm me fajësinë e Greta Pepës, por praktikisht Apeli i GJKKO ka dërguar në burg dhe foshnjen 4-muajshe. 

Greta Gjoci është një nga 16 personat e dënuar në dosjen e Bruno Çobos, ku bëhet fjalë për një skemë mashtrimi përmes call-centerave dhe dëme ndaj shtetasve italianë.

Sipas akuzës, të pandehurit nuk janë ndjekur penalisht thjesht për faktin se kanë punuar në call-center, por për përfshirjen e tyre, sipas roleve të përcaktuara nga organi i akuzës dhe të pranuara nga gjykata, në veprat penale të mashtrimit kompjuterik dhe grupit të strukturuar kriminal.

Apeli i GJKKO-së vendosi të lërë në fuqi dënimet e dhëna nga shkalla e parë.

Lini një Përgjigje