Cristiano Ronaldo ka zbardhur versionin e tij për përplasjen me trajnerin e Portugalisë, Jorge Jesus, që solli largimin e yllit të Al-Nassr nga grumbullimi i kombëtares përpara ndeshjes së Ligës së Kombeve ndaj Danimarkës.
Në një deklaratë të gjatë, 41-vjeçari akuzoi teknikun portugez se ka thyer dy herë një marrëveshje mes tyre. Ronaldo theksoi se gjithçka nisi pas një marrëveshjeje për të menaxhuar ngarkesën e tij fizike, sipas së cilës ai nuk do të aktivizohej në ndeshjet ndaj Norvegjisë dhe Danimarkës.
Megjithatë, sipas kapitenit të Portugalisë, në ditën e ndeshjes me Norvegjinë, Jesus i kishte komunikuar se do ta aktivizonte për rreth 30 minuta.
“Unë u stërvita dhe nga pjesa e dytë e ndeshjes vazhdova të ngrohesha. Shikoja minutat që kalonin, por nuk u aktivizova. Trajneri e kishte thyer fjalën që më kishte dhënë”, rrëfeu Ronaldo.
Pas kësaj, sipas tij, pati një takim mes palëve, ku ishte i pranishëm edhe drejtori sportiv i Al-Nassr, Simão Coutinho. Në atë takim, Ronaldo pretendon se u arrit një tjetër marrëveshje: Jorge Jesus do të sqaronte publikisht situatën në konferencën e tij të ardhshme për shtyp.
Madje, sipas Ronaldos, ishte përgatitur edhe një dokument me tetë pika, ku përcaktohej qartë se ai nuk kishte kërkuar garanci për minuta loje, kishte respektuar vendimet e trajnerit dhe se kërkesa për t’u ngrohur pa u aktivizuar ishte konsideruar si një gabim.
“Dokumenti nuk kërkonte që trajneri të më kërkonte falje, por deklaratat e tij publike nuk kishin asnjë ngjashmëri me atë që kishim diskutuar privatisht”, tha Ronaldo.
Për këtë arsye, ylli portugez vendosi të largohej nga grumbullimi.
“Ishte hera e dytë që ai e theu fjalën që më kishte dhënë. Vendosa të largohesha nga grumbullimi pa pritur që të kishte edhe premtime të tjera të thyera”, deklaroi kapiteni i Portugalisë.
Nga ana tjetër, Jorge Jesus ka mohuar se kishte arritur ndonjë marrëveshje të tillë me Ronaldon, edhe pse pas fitores ndaj Norvegjisë la të hapur mundësinë e rikthimit të sulmuesit në kombëtare.
Ronaldo kërkoi gjithashtu falje për faktin se nuk përshëndeti tifozët pas ndeshjes me Norvegjinë dhe pranoi se largimi nga grumbullimi i skuadrës ishte një veprim që duhet të ketë pasoja.
“Pasojat e veprimeve të mia duhet të vlerësohen dhe të ndëshkohen nga Federata Portugeze e Futbollit”, u shpreh ai.
Megjithatë, Ronaldo bëri të qartë se nuk e konsideron këtë episod si fundin e aventurës së tij me Portugalinë. Përkundrazi, ai garantoi se dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e kombëtares.
“Nëse jam fizikisht mirë, luaj për klubin tim dhe shënoj gola, shpresoj që pas përfundimit të çdo pezullimi që mund të vendoset ndaj meje, do të jem i gatshëm, siç kam qenë gjithmonë, për të luajtur dhe për të fituar me kombëtaren tonë”, përfundoi Ronaldo.
Përplasja me Jorge Jesus ka krijuar kështu një situatë të pazakontë brenda kombëtares portugeze, por fjalët e Ronaldos lënë të kuptohet se, pavarësisht konfliktit, ai nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Portugalia.











