AKTUALITET /

“Më tha se quhej Berti, punonte me duralumin”, habit ish-shefi i policisë që u kap me Agasin: E mora në rrugë, bëri autostop

Shkruar nga Versus
“Më tha se quhej Berti, punonte me duralumin”, habit ish-shefi
Ish-zv. drejtor i policisë Elbasan, Ulian Shpataraku dhe biznesmeni i arrestuar, Ergys Agasi

Ulian Shpataraku, ish-drejtues i lartë i policisë i cili u kap së bashku me biznesmenin Ergys Agasi në mjetin luksoz “Audi A8”, ka shkaktuar habi lidhur me versionin e tij për ngjarjen. Ai thotë se takimi me të shumëkërkuarin më 26 gusht, kishte qenë krejt rastësor. Duke u munduar të gjente alibi tek besimi i tij, Shpataraku tregoi arsyen përse e kishte marrë biznesmenin në makinë.

“Unë nuk e njoh Ergys Agasin. Po udhëtoja me automjet drejt Elbasanit dhe një person më ngriti dorën për autostop. E mora, pasi jam besimtar dhe nuk kam frikë nga njerëzit që kanë hall në rrugë”, deklaroi ai para trupës gjyqësore që po shqyrtonte arrestimin e tij për “përkrahje të autorit të krimit”- mësohet të jetë shprehur Shpataraku.

Versioni i tij për ngjarjen bëhet akoma më i pabesueshëm në vazhdim pasi thotë se Agasin e kishte marrë në rrugën e vjetër të Elbasanit pasi i kishte bërë me shenjë për të ndaluar. Sipas ish-zyrtarit të policisë, Agasi I ishte prezantuar me emrin ‘Berti’ duke i thënë se punonte me duralumin.  

“Po kthehesha nga rruga e vjetër e Elbasanit. Gjatë udhëtimit, një person më bëri shenjë me dorë dhe unë e mora në makinë. Ky person më tha se quhej ‘Berti’ dhe se punonte me duralumin. Në afërsi të Plepave, në Durrës, na ndaloi policia. Aty mësova se personi që kisha marrë në makinë ishte Ergys Agasi”, tha Shpataraku.

Ish-funksionari i lartë policor tha më tej se ai nuk kishte asnjë mundësi të njihte Ergys Agasin, pasi personi që hipi në makinë rastësisht, “ishte me mjekër, me kapele dhe me shapka”, ndërkohë që fotoja nga arrestimi i tij përkon plotësisht me fotot e publikuara në media për shpalljen në kërkim si drejtues i grupit kriminal në dosjen e AKSHI-t. Versus.al

Poll