Policia Rrugore e Gjirokastrës ka pezulluar 38 leje drejtimi dhe ka arrestuar ose vënë nën hetim penal 7 persona gjatë dy javëve të fundit, si rezultat i monitorimeve të vazhdueshme në të gjitha akset rrugore. Kontrollet janë përqendruar te drejtuesit që lëvizin nën efektin e alkoolit, përdorin celularin gjatë drejtimit ose nuk vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse.

Gjatë kësaj periudhe janë vendosur 608 gjoba për parakalime të gabuara, 816 për tejkalim të shpejtësisë, 562 për ndalim ose qëndrim të gabuar, 23 për mosvendosje të kaskës, 7 për mosvendosje të rripit të sigurimit, 7 për përdorim të celularit gjatë drejtimit, 4 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 241 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Një tjetër fokus i kontrolleve kanë qenë mjetet e transportit publik dhe ato që transportojnë nxënës. Gjatë dy javëve janë vendosur edhe 50 masa administrative për shkelje si mungesa e dokumentacionit përkatës, transporti i nxënësve mbi kapacitetin e lejuar dhe mosrespektimi i përparësisë së këmbësorëve, kryesisht pranë shkollave.

Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në akset urbane, interurbane dhe rurale, ndërsa u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.