Policia Rrugore e Gjirokastrës monitorim 24/7,disa të proceduar dhe 38 leje drejtimi të pezulluara në dy javë

07/10/2026 13:10

Rrugore ka intensifikuar monitorimet në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të Gjirokastrës, me kontrolle 24 orë në 7 ditë, duke përdorur pajisje bashkëkohore për garantimin e sigurisë rrugore.

Një fokus i veçantë i është kushtuar edhe zonave pranë institucioneve arsimore, me prani të shtuar të shërbimeve policore gjatë fillimit dhe përfundimit të procesit mësimor, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe menaxhimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.

Në fokus të kontrolleve kanë qenë drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë nën efektin e alkoolit, përdorin celularin gjatë drejtimit, nuk vendosin rripin e sigurimit apo kaskën mbrojtëse, si dhe shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit.

Si rezultat i monitorimit konstant, gjatë dy javëve të fundit janë arrestuar/proceduar penalisht 7 shtetas, ndërsa janë pezulluar 38 leje drejtimi.

Gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej:

  • 608 masa administrative për parakalime të gabuara;

  • 816 masa për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara;

  • 562 masa për ndalim ose qëndrim të gabuar të automjetit;

  • 23 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;

  • 7 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

  • 7 masa për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit;

  • 4 masa për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit;

  • 241 masa administrative për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet janë shtrirë edhe në mjetet e transportit publik dhe ato që përdoren për transportin e nxënësve, me qëllim parandalimin dhe evidentimin e menjëhershëm të shkeljeve që mund të cenojnë sigurinë e pasagjerëve.

Në këtë kuadër, gjatë dy javëve janë vendosur 50 masa administrative për shkelje të ndryshme, përfshirë drejtimin e mjeteve të transportit publik pa dokumentacionin përkatës, transportimin e nxënësve mbi kapacitetin e lejuar, si dhe mosrespektimin e të drejtës së këmbësorëve për të kaluar, veçanërisht pranë institucioneve arsimore.

Policia Rrugore e Gjirokastrës njofton se kontrollet dhe monitorimet do të vijojnë në mënyrë të vazhdueshme në të gjitha rrugët e qarkut.

Në të njëjtën kohë, Policia Rrugore u bën apel të gjithë përdoruesve të rrugës të tregojnë kujdes maksimal dhe të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112.

Top Channel