Akademikja Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e shtatë e Kosovës pasi mori 81 vota pro në raundin e parë të votimit në Kuvendin e Kosovës, gjatë natës së së martës dhe orëve të para të së mërkurës.
Të lidhura
None found
Por, përtej angazhimit të saj në jetën publike dhe akademike, presidentja e re ka pasur edhe një lidhje të veçantë me futbollin, pasi djali i saj i madh, Lekë Pula, ka qenë një emër i njohur në futbollin kosovar.
Për këtë arsye, Justina Shiroka-Pula është parë në të kaluarën në shkallët e stadiumeve, duke ndjekur ndeshjet e futbollit.
Lekë Pula e nisi rrugëtimin sportiv para luftës, në shkollën e futbollit 2 Korriku. Aty u zhvillua si lojtar dhe kaloi të gjitha grupmoshat, deri në ngjitjen te skuadra e parë.
Paraqitjet e tij si mbrojtës, kryesisht në qendër të repartit defensiv, i hapën rrugën për të vazhduar karrierën në nivele më të larta.
Ai luajti për disa vite edhe te Prishtina, klubi më i madh kosovar, me të cilin arriti të fitonte edhe titullin kampion, shkruan Telegrafi.
Më pas, Leka u aktivizua për shumë vite edhe me Flamurtarin, klubin tjetër të kryeqytetit.
Pavarësisht cilësive dhe karrierës së tij të suksesshme, djali i presidentes vendosi ta mbyllte aventurën në futboll rreth moshës 30-vjeçare.
Vendimi për t’u tërhequr nga futbolli lidhej me përqendrimin te studimet dhe angazhimin në botën akademike, ku më vonë ndërtoi një karrierë të suksesshme.
Lekë Pula është Doktor i Shkencave Ekonomike në fushën Ekonomiks dhe prej shumë vitesh mban postin e profesorit të asociuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
