Përdorimi i inteligjencës artificiale është kthyer në pjesë të përditshmërisë së miliona njerëzve në botë. Sipas të dhënave të fundit, ChatGPT merr rreth 2.5 miliardë kërkesa në ditë dhe numëron 800 milionë përdorues aktivë, duke e lënë larg konkurrentët e tjerë si Google Gemini (400 milionë përdorues), Groku i Elon Musk (35 milionë), Perplexity (22 milionë) dhe Claude (18.9 milionë).
Sipas ekspertit të teknologjisë Brenton Bënja nga Geek Room, njerëzit kanë filluar të diferencojnë përdorimin e platformave të ndryshme sipas nevojave specifike: Gemini preferohet për rishkrimin e teksteve dhe email-eve, ndërsa Claude konsiderohet më i miri për kodim.
Psikologia klinike Rudina Koromani paralajmëron se ky përdorim masiv po ndikon drejtpërdrejt te marrëdhëniet njerëzore. Sipas saj, po vërehet më pak komunikim në marrëdhëniet ndërnjerëzore, më shumë vetmi, depresion dhe ankth, fenomene që lidhen drejtpërdrejt me rritjen e varësisë nga mjetet e inteligjencës artificiale.
Studime të fundit nga Ipsos dhe McKinsey tregojnë se rreth 70% e njerëzve e përdorin AI-në çdo ditë, me millennials dhe Gjeneratën Z si përdoruesit kryesorë, duke zënë rreth 65-70% të totalit të përdoruesve.