Vance vendos kushtin për fundin e luftës: Irani të zvogëlojë ndjeshëm pasurimin e uraniumit

07/10/2026 13:51

Irani duhet të bëjë një reduktim të konsiderueshëm të kapacitetit të tij për pasurimin e uraniumit, në mënyrë që të përmbushë kërkesat e SHBA-së dhe të hapë rrugën për përfundimin e luftës shtatëmujore.

Deklarata është bërë nga zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance në një intervistë për Reuters.

Vance, i cili ka marrë një rol të rëndësishëm në negociatat për përfundimin e konfliktit, tha se çdo marrëveshje me Teheranin duhet të përfshijë një ulje reale të kapacitetit të pasurimit të uraniumit dhe jo vetëm premtime për kufizime të ardhshme të programit bërthamor.

“​Nëse nuk doni një armë bërthamore, pse keni nevojë për karburant të pasuruar 60%?”, tha Vance, duke shtuar se Irani duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të dëshmuar se nuk synon ndërtimin e një arme bërthamore.

“Ne nuk do të shkëmbejmë fjalë me veprime”, u shpreh ai.

Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë shkëmbyer propozime gjatë javëve të fundit për përfundimin e luftës dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve kryesore të transportit të energjisë në botë. Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar propozimin e fundit të Teheranit dhe ka paralajmëruar se operacionet ushtarake mund të intensifikohen pas zgjedhjeve të mesit të mandatit në nëntor.

Vance tha se Uashingtoni mbetet i hapur për një marrëveshje, por kërkon lëshime konkrete nga Irani për çështjen bërthamore.

Zëvendëspresidenti amerikan foli gjithashtu për pasigurinë në Uashington lidhur me mënyrën se si merren vendimet në Teheran. Sipas tij, SHBA-ja është në kontakt me presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe ministrin e Jashtëm Abbas Araqchi, por nuk është e qartë se sa autoritet kanë ata brenda strukturës së pushtetit në Iran.

Vance tha se ka komunikuar edhe me komandantë në terren për të marrë një pasqyrë të situatës ushtarake. Ai argumentoi se, megjithëse forcat iraniane kanë arritur në disa raste të godasin anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, ato nuk kanë qenë në gjendje të ndalojnë në mënyrë të përgjithshme transportin e naftës dhe gazit përmes kësaj rruge.

I pyetur nëse ai po udhëheq negociatat e paqes me Iranin, Vance tha se administrata amerikane është e përfshirë në proces, por theksoi se “në fund të fundit, presidenti i Shteteve të Bashkuara është ai që përcakton kursin”.

Top Channel