
Vetëm një ditë përpara se në Kuvend të hidhet për votim projektligji i Partisë Socialiste për shkrirjen e 15 bashkive në Reformën e re Territoriale, shoqata e të zgjedhurve vendorë i ka drejtuar një letër Këshillit të Europës dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore duke denoncuar atë që e konsiderojnë ‘shkelje të procedurave kushtetuese dhe parimeve të kartës Europiane të Vetëqeverisjes Vendore’.
Në letrën e dërguar ngrihet shqetësimi dhe procesi për riorganizimin e territorit po zhvillohet në mënyrë të njëanshme pa u konsultuar me qytetarët të cilët kanë protestuar vazhdimisht dhe pa marrë në konsideratë votimin kundër të këshilltarëve vendorë.
Shoqata i kërkon Këshillit të Europës dhe Kongresit të Autoriteteve Vendore të reagojnë dhe të ndërhyjnë përpara se ndryshimet të miratohen në Kuvend, duke argumentuar se pas miratimit parlamentar do të jetë më e vështirë të parandalohet dëmi që mund t’u shkaktohet komuniteteve.
Në letrën drejtuar institucioneve europiane, shoqata paraqet edhe prova që, sipas saj, dëshmojnë anashkalimin e qytetarëve dhe këshilltarëve vendorë në 15 bashkitë që preken nga riorganizimi.
Shoqata paralajmëron se çështja nuk lidhet vetëm me interesat e banorëve të këtyre bashkive, por edhe me respektimin e standardeve dhe parimeve europiane të demokracisë lokale. Më tej argumentohet se ndryshimi i kufijve të njësive vendore, nuk mund të bëhet pa konsult real me komunitetet e prekura dhe pa respektuar kuadrin kushtetues dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë. Në këtë kuadër, thirrja drejtuar institucioneve të Këshillit të Europës vjen si një kërkesë për ndërhyrje para vendimmarrjes përfundimtare në Kuvend, me qëllim që procesi të mos kthehet në një fakt të kryer. Versus.al

