SYRI TV/ Operatori Shëndetësor pezullon tendera 18 mln €, drejtoresha e OSHISH, familjare e Linda Ramës

13:44, 07/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas tenderit 50 milionë euro të Hemodializës, Operatori i Shërbimeve Shëndetësore ka anuluar edhe disa tendera të tjerë me vlerë 18 milionë euro. Procedimi i këtyre procedurave vjen pasi opozita ka denoncuar, duke ngritur dyshime për paracaktim të fituesve dhe hije korrupsioni. Gjithashtu, opozita ka ngritur akuza se në krye të OSHISH-it është vendosur familjarja e Linda Ramës, bashkëshortes së Kryeministrit Edi Rama.

Pas anulimit të tenderit 50 milionë euro për shërbimin publik të Hemodializës, Operatori i Shërbimeve të Integruara të Shërbimeve Shëndetësore, OSHISH, ka pezulluar edhe disa procedura të tjera, me vlerë rreth 18 milionë euro. Tenderat e pezulluar janë shpallur në datat 10 dhe 11 shtator 2026, pak orë para se ish-drejtoresha e Operatorit, Arisa Cane, të zëvendësohej nga Yllka Kukulaj, një familjare e Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama.

Opozita e denoncoi këtë emërim të ministres së Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, duke deklaruar se milionat publike të këtij institucioni tashmë do të kontrollohen nga familja e kreut të qeverisë. Vendimet për pezullimin e të paktën 5 procedurave tenderuese janë publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimit Publik, por nuk janë shoqëruar me arsyetime shteruese. Nga vëzhgimi që kreu “Syri TV”, rezulton se këto tendera lidhen me blerje kite e reagentësh të ndryshëm, përfshirë edhe ato që lidhen me kontrollin shëndetësor bazë, Check-Up. Vlera e tyre në total llogaritet në mbi 1.63 miliardë lekë të reja, ose afërsisht 18 milionë euro me kursin aktual të këmbimit. Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore është një strukturë e re publike.

Ai u krijua fillimisht për të menaxhuar shërbimin e Sterilizimit, në përfundim të kontratës abuzive koncesionare, të nënshkruar nga qeveria shqiptare me kompaninë “SaniService”. Më tej, OSHISH-it iu ngarkua përgjegjësia për të menaxhuar shërbimet e tjera të dhëna me koncesion më parë, atë të Hemodializës dhe të Kontrollit Bazë, Check-Up. Zhvillimet problematike në këtë strukturë, që menaxhon fonde dhjetëra milionë euro, u shfaqën në publik, sapo ish-ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, u largua papritur nga qeveria dhe u zëvendësua nga Klodiana Spahiu. Vendimi i parë i ministres së re ishte pikërisht shkarkimi i titullares së Operatorit të Shërbimeve të Integruara Shëndetësore dhe zëvendësimi i saj me vajzën e tezes së Linda Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco