Flash

Politico: BE përgatitet për skenarin më të keq, një sulm hibrid me shumë viktima

Lapsi.al 7 October 2026

Politico: BE përgatitet për skenarin më të keq, një

Kryeqytetet evropiane po përgatiten, në heshtje, për një skenar që deri vonë konsiderohej kryesisht teorik, një sulm hibrid në shkallë të gjerë ndaj një vendi anëtar të Bashkimit Evropian, i cili mund të shkaktojë viktima të shumta dhe të kërkojë një reagim të menjëhershëm e të koordinuar.

Sipas diplomatëve dhe zyrtarëve evropianë të cituar nga Politico, diskutimet për këtë skenar janë intensifikuar gjatë javëve të fundit, veçanërisht pas zbulimit të një tentative sulmi me dronë të pajisur me eksplozivë në aeroportin Leipzig/Halle të Gjermanisë, në muajin gusht. 

Qeveria gjermane e ka lidhur tentativën me Rusinë, ndërsa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka deklaruar se një sulm i suksesshëm mund të kishte shkaktuar dëme të mëdha dhe humbje jetësh.

Takime me masa të rrepta sigurie

Ambasadorët e 27 vendeve anëtare kanë zhvilluar javët e fundit diskutime në një format të kufizuar, pa telefona celularë dhe pa bashkëpunëtorë në sallë. Sipas dy diplomatëve evropianë, në një prej takimeve të fundit vëmendja është përqendruar veçanërisht te mundësia e një sulmi hibrid që do të shkaktonte një numër të madh viktimash.

BE-ja ka tashmë një paketë mjetesh për përballimin e kërcënimeve hibride, e cila parashikon koordinim përballë sulmeve kibernetike, sabotazheve, ndërhyrjeve në zgjedhje dhe veprimeve të tjera nën pragun e një konflikti të armatosur. Por tashmë pyetja është më e drejtpërdrejtë: çfarë ndodh nëse një sulm i tillë shkakton dhjetëra apo edhe më shumë viktima?

“Duhet të jemi të përgatitur për diçka serioze”, ka deklaruar një diplomat evropian, duke theksuar se incidenti në Leipzig tregoi se një ngjarje e rëndë me pasoja njerëzore nuk mund të përjashtohet më.

Rritet shqetësimi për sulmet hibride

Në Bruksel shqetësimi është ushqyer nga një seri incidentesh që autoritetet evropiane dhe të NATO-s i kanë vendosur në kuadrin e kërcënimeve hibride. Mes tyre janë përmendur incidente me dronë, zjarre të dyshimta në infrastrukturë kritike, plane për vendosjen e mjeteve ndezëse në qendra transporti në vende të ndryshme të Evropës, si dhe raste të përsëritura të shkeljes së hapësirës ajrore.

BE-ja ka akuzuar vazhdimisht Moskën për intensifikimin e sabotazheve, sulmeve kibernetike, dezinformimit dhe operacioneve të tjera të fshehta ndaj vendeve evropiane pas pushtimit rus të Ukrainës. Rusia ka mohuar akuza të ndryshme për përfshirje në incidente të tilla. Drejtoresha e Qendrës Evropiane të Ekselencës për Kundërvënien ndaj Kërcënimeve Hibride, Teija Tiilikainen, ka paralajmëruar se përdorimi i mjeteve gjithnjë e më të rrezikshme për të testuar gatishmërinë e Evropës rrit edhe rrezikun për viktima.

Çfarë do të bënte BE-ja pas një sulmi?

Diskutimet në Bruksel janë përqendruar edhe te masat praktike që mund të ndërmerren pas një incidenti të madh. Ndër skenarët e shqyrtuar janë dërgimi i ekipeve të reagimit të shpejtë, aktivizimi i menjëhershëm i fondeve evropiane për shtetin e goditur dhe koordinimi i komunikimit publik nga drejtuesit e institucioneve të BE-së. Megjithatë, një nga çështjet më të ndërlikuara mbetet përcaktimi i përgjegjësisë për reagimin.

Debati për rolin e NATO-s

Diskutimet kanë shkaktuar shqetësim në disa kryeqytete evropiane, të cilat druhen se BE-ja mund të hyjë në një fushë që tradicionalisht i përket NATO-s. Këshilli Evropian ka theksuar vazhdimisht se forcimi i mbrojtjes evropiane duhet të jetë plotësues i NATO-s dhe se Aleanca mbetet themeli i mbrojtjes kolektive për vendet anëtare.

Ish-zëdhënësja e NATO-s dhe bashkëpunëtorja e institutit britanik RUSI, Oana Lungescu, ka paralajmëruar se krijimi i mekanizmave paralelë mund të shkaktojë paqartësi në momentet e krizës. Sipas saj, një ndarje e qartë e përgjegjësive do të ishte më efikase: NATO të fokusohet te shkëmbimi i informacionit dhe parandalimi ushtarak, ndërsa BE-ja te mbrojtja civile dhe menaxhimi politik i krizës.

Frika nga rrjedhja e informacionit

Një tjetër shqetësim lidhet me sigurinë e vetë diskutimeve evropiane. Diplomatë të ndryshëm kanë shprehur rezerva për ndarjen e informacioneve tepër sensitive në takimet e BE-së, për shkak të frikës se ato mund të rrjedhin në media ose të përfundojnë te vende të treta. Një diplomat nga krahu lindor i BE-së ka deklaruar se qeveria e tij është veçanërisht e kujdesshme në ndarjen e informacionit të klasifikuar gjatë mbledhjeve të përfaqësuesve të përhershëm.

Propozimi i von der Leyen

Diskutimet zhvillohen paralelisht me përpjekjet e Ursula von der Leyen për të forcuar rolin e BE-së në fushën e sigurisë. Në këtë kuadër është propozuar krijimi i një protokolli emergjent për sigurinë, përmes të cilit vendet anëtare do të mund të koordinoheshin në rast të një krize të madhe. Në diskutim është edhe ideja për krijimin e një “Këshilli Evropian të Sigurisë”.

Megjithatë, disa vende argumentojnë se BE-ja tashmë ka mekanizma që mund të aktivizohen në situata të tilla. Një prej tyre është IPCR, Mekanizmi i Integruar i BE-së për Reagimin Politik ndaj Krizave, i cili lejon presidencën e radhës të BE-së të thërrasë takime urgjente dhe kur është e nevojshme, të përfshijë ekspertë nga NATO, OKB-ja dhe organizata të tjera.

Shembulli i sulmeve në Paris

Një precedent për reagimin evropian ekziston që nga sulmet terroriste në Paris në vitin 2015. Franca aktivizoi atëherë për herë të parë dhe deri më sot të vetmen herë nenin 42.7 të Traktatit të BE-së, i cili parashikon klauzolën e ndihmës së ndërsjellë.

Megjithatë, aktivizimi i saj ishte një vendim politik i Parisit dhe nuk solli një mobilizim të unifikuar ushtarak të Bashkimit Evropian. Tashmë sfida për Brukselin është më komplekse: Si do të funksiononte sistemi në rastin e një sulmi hibrid me viktima të shumta, kur përgjegjësia për sulmin mund të jetë e vështirë të përcaktohet menjëherë?

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

91.79

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI