Një ditë para votimit në Kuvend të hartës së re territoriale, që e çon Shqipërinë nga 61 në 46 bashki, Arbjan Mazniku shpjegoi në emisionin 'Sot Live në Shqipëri' në Report TV se si mazhoranca socialiste mendon të funksionojnë territoret që humbasin statusin e bashkisë.
Thelbi i modelit, sipas një prej hartuesve të draftit socialist, është ky: bashkitë e vogla bashkohen me një bashki më të madhe për të përdorur të njëjtin buxhet, administratë dhe kapacitete, por qytetet që humbasin bashkinë ruajnë emrin, shërbimet lokale dhe një përfaqësim të garantuar në qeverisjen e njësisë së re.
Për ta shpjeguar konkretisht, Mazniku mori rastin e Cërrikut dhe Belshit, dy bashki që sipas draftit shkrihen dhe bashkohen me Elbasanin. Pas reformës nuk do të ketë më tre kryetarë dhe tre administrata të veçanta bashkiake, por një Bashki të Elbasanit dhe një këshill bashkiak për të gjithë territorin. Cërriku dhe Belshi, megjithatë, do të vazhdojnë të ekzistojnë si qytete, do të kenë nënkryetarë dhe përfaqësues proporcionalë të garantuar në Këshillin Bashkiak.
Mazniku tha se pikërisht ky është kompromisi që PS ka zgjedhur pas kundërshtimeve të ardhura nga bashkitë që shkrihen: të bashkojë financat dhe funksionet, pa zhdukur identitetin dhe përfaqësimin e qyteteve.
"Do të ketë nënkryetar të bashkisë për Cërrikun e Belshin dhe do të kenë numër proporcional fiks në Këshillin Bashkiak. Emri i qytetit qëndron, tregu, çdo aktivitet qëndron aty, duke u dhënë mundësi njerëzve që të ruajnë identitetin, por duke krijuar një përqendrim të funksioneve që bashkitë nuk i kryejnë dot. Qytetari do ta marrë funksionin aty ku e merr sot", tha Mazniku
Ajo që ndryshon është niveli ku merren vendimet dhe administrohen paratë. Në vend që Cërriku, Belshi dhe Elbasani të kenë secili buxhetin dhe administratën e vet, territori i ri do të ketë një buxhet dhe një Këshill Bashkiak. Përfaqësuesit e të tre zonave do të vendosin së bashku për taksat, shpenzimet dhe investimet.
"Në një territor më të madh, bashkia e re e Elbasanit, bashkë me njerëzit nga Cërriku dhe Belshi, do të vendosin si do t'i shpenzojnë të ardhurat dhe shpenzimet. Më pas, në një territor të përbashkët, këshilli i madh bashkiak vendos për të ardhurat, tarifat dhe shpenzimet. Në një territor më të madh të ardhurat dhe investimet rriten, ndaj qytetarët do të kenë më shumë investime pasi të jenë bashkuar, siç kanë banorët e Gjinarit apo Labinotit", tha Mazniku.
Por argumenti kryesor i PS-së për shkrirjen e 15 bashkive është se shumë prej njësive të vogla, edhe pse ligji u ka dhënë një sërë kompetencash, sot nuk kanë para, staf apo kapacitete për t'i ushtruar realisht ato.
Mazniku e ilustroi sërish me Elbasanin, Cërrikun dhe Belshin.
"Një nga bashkitë e propozuara është bashkimi i Elbasanit me Cërrikun dhe Belshin. Një bashki duhet të kryejë 26 funksione buxhetore. Bashkia e Elbasanit kryen 25 funksione, ajo e Cërrikut 16 dhe e Belshit 15, pra dy prej bashkive kryejnë një pjesë të funksioneve. Me bashkim, qytetarët e Belshit dhe Cërrikut do të përfitojnë nga 25 funksionet dhe bashkërisht të kenë funksione të tjera. Pra, synimi i bashkimit është që qytetarët të përfitojnë më shumë shërbime, investime, funksione dhe të qeverisin vetë një territor nëpërmjet këshillave bashkiakë", tha Mazniku.
Transporti publik është një nga shembujt që dha Mazniku.
"Sot bashkitë e kanë kompetencën e transportit publik. Elbasani ka transport publik, ndërsa Cërriku dhe Belshi nuk kanë. Këtë funksion që kanë, pse s'e bëjnë dot? Raporti kosto për transport dhe të ardhura nuk ia del llogaria që ta mbajë. Në një bashki më të madhe mund të kenë sistem të transportit, pra e gjithë bashkia e madhe do të ketë një sistem transporti dhe të lëvizin nga njëra njësi tek tjetra", tha Mazniku.
I pyetur në studio se si vetëm ndryshimi i kufijve do të prodhojë më shumë para për investime. Mazniku e lidhi këtë me "ekonominë e shkallës": në vend që tri bashki të mbajnë tri struktura administrative dhe secila të blejë apo kontraktojë veçmas të njëjtat shërbime, një strukturë e vetme mund t'i përdorë paratë dhe pajisjet për të gjithë territorin.
"Një nga funksionet që bëjnë është pastrimi i kanaleve, atyre u duhen ekskavatorë dhe makina të tjera, që kushtojnë. Një bashki e vogël s'ka mundësi, por një bashki e madhe mund të ketë një prej këtyre makinave dhe mund ta operojë. Teksa një bashkie nuk ia dilte kostoja për të mirëmbajtur kanalet, është më efektive që territori i madh të ketë mjetin. Rriten investimet, ekonomia e shkallës, mirëmbajtja, pastrimet e të gjitha i shërbejnë një territori më të madh", tha Mazniku.
Kjo nuk do të thotë, sipas tij, se punonjësit që pastrojnë, mirëmbajnë apo ofrojnë shërbime do të largohen nga Cërriku dhe Belshi. Bashkimi do të prekë kryesisht strukturat administrative që sot përsëriten në secilën bashki.
"Ajo që bashkohet janë zyrat profesionale, urbanistika, financat, planifikimet sociale, ndërsa ofruesit e shërbimit do të qëndrojnë aty ku ishin", tha Mazniku.
Ai kundërshtoi kështu edhe argumentin se numri i punonjësve vendorë duhet domosdoshmërisht të ulet.
"Kemi 739 zjarrfikës nga 1371 zjarrfikës, por është akoma më i ulët. Numri i edukatorëve duhet rritur. Që të ofrojmë shërbime me standarde duhet të kemi më shumë edukatorë, zjarrfikës, mirëmbajtës. Tirana nuk ka pasur asnjë vijë të bardhë. Veliaj mori aksion të madh dhe e shtroi gjithë qytetin me vija. Vijat nuk shtohen vetë pa shtuar njerëzit. Në Tiranë nga Veliaj janë shtuar 50 shkolla të reja që kërkojnë pastruese, roje. Pra, nuk janë shtuar njerëzit që rrinë në zyrë dhe na duhen më shumë nga njerëzit që bëjnë punë në terren", tha Mazniku.
Një ditë para votimit, mbetet edhe mungesa e marrëveshjes politike. Mazniku pranoi se një reformë territoriale e miratuar me konsensus do të ishte skenari më i mirë, por tha se PS nuk mund ta lërë hartën ekzistuese në fuqi vetëm sepse nuk është arritur dakordësia me opozitën.
"Në një situatë më ideale do të kishte qenë e arsyeshme të kishim marrëveshje me opozitën, por ne kemi nevojë të mbajmë ekuilibër mes të qëndruarit ku jemi apo ecjes përpara. Meqë nuk arrijmë dakordësinë e të gjithëve, a do rrimë status quo? PS ka marrë një mandat për ta çuar vendin para, për të përmirësuar cilësinë e jetës dhe fuqizuar njerëzit. Jam i keqardhur që për 275 ditë, nëntë muaj, opozita nuk erdhi në takim", tha Mazniku.", tha Mazniku.
Sipas tij, pikërisht këtu hyn vota e Kuvendit.
"Nëse diskutimi shkon mes dy pozicioneve të kundërta, Kushtetuta ka krijuar mekanizmat që na nxjerrin nga ky bllokim dhe votimi në seancë është ky mekanizëm. Ne duhet të bëjmë dëgjesa kuptimplota dhe i kemi bërë këto dëgjesa. Kemi marrë opinionin e njerëzve, opinioni i qytetarëve shprehet përmes këshillit bashkiak. Kushtetuta thotë që vendimi për ndarjen e reformës administrative është i Kuvendit. Pra, e ka përgjegjësinë Kuvendi", tha Mazniku.
Dy palët ndahen edhe te drejtimi që duhet të marrë harta. Ndërsa PS kërkon 46 bashki më të mëdha, PD ka propozuar rritjen e numrit të tyre në rreth 100. Mazniku tha se kjo nuk është vetëm një përplasje për numrin e bashkive, por për modelin e pushtetit vendor.
Sipas tij, sa më të vogla të jenë bashkitë, aq më pak funksione mund të financojnë vetë dhe, për pasojë, më shumë kompetenca do të duhej të kalonin te qeveria qendrore. PS argumenton të kundërtën: më pak bashki, por me më shumë para dhe kompetenca.
"Për nga numri 100 është si loja me kungulleshka. Ekspertët na kanë thënë që ekziston një skenar që të ketë 100 bashki. Ai skenar kërkon që bashkitë të kenë vetëm 10 funksione, mirëmbajtjen e rrugës, ndërrimin e poçave dhe pastrimin e plehrave. Në një skenar me shumë bashki, kemi bashki më të dobëta, me më pak funksione, të cilat do merren nga qeveria qendrore. Pra, më shumë bashki do të thotë centralizim, ndërsa ne ofrojmë decentralizim real me bashki më të mëdha e më të fuqishme që kanë më shumë të ardhura e më shumë vendimmarrje", tha Mazniku.
Mazniku u shpreh i bindur se drafti do kalojw nw Kuvend.
"Është në axhendë të Kuvendit pika numër 7. Unë besoj që brenda PS dhe parlamentit ekziston pjekuria për të kutpuar që kjo reformë do ta bëjë jetën e qytetarëve pas 3-4 vjetësh dhe avantazhet që sjell janë shumë më të mëdha se disavantazhet" tha ai.









Komente
Komento