
Si një tango e fundit, siç e kanë quajtur në Argjentinë, nuk ishte aspak keq. Dy asistime dhe një gol, nga penalltia, edhe pse kundër modestit Benin, janë trashëgimia e duhur e një karriere të jashtëzakonshme, e përbërë nga 208 ndeshje me Seleccion dhe një Kupë Bote e ngritur si kapiten. T’i thuash lamtumirë, në këto kushte dhe asaj fanelle aq të dashur, ishte driblimi më i vështirë i Leo Messit: “E vërteta është se po flas më shumë se sa kam folur ndonjëherë”, thotë ai. Dhe më tej: “Nuk dua të largohem nga këtu, nuk dua të lë këtë fushë”. “Është e vështirë të flas, kam shumë emocione, më rikthehen në mendje shumë gjëra, sigurisht gjëja e parë për të cilën mendoj është babai im. Ka qenë një krenari shumë e madhe për mua të vesh këtë fanellë gjatë këtyre më shumë se 20 viteve”.
“Dua vetëm t’ju them se ju dua, se do të më mungoni dhe se i jam mirënjohës Zotit që jam argjentinas – vijoi Messi, duke iu drejtuar 85 mijë spektatorëve të pranishëm në ndeshjen e tij të fundit me Albicelesten -. Jam krenar që jam argjentinas”. Fjalë të emocionuara dhe të ndjera, të cilat publiku i shoqëroi me një duartrokitje të gjatë, me korin “Olé, olé, olé, olé, Messi, Messi” dhe me pankartën “Kapiteni i Përjetshëm”.

Fishekzjarrët në minutën e dhjetë, lotët në autobus, lojëra dritash dhe një fanellë e Messit 30 metra e gjatë me numrin 10 dhe mbishkrimin “Gracias”. Këto dhe shumë të tjera ishin pjesë e tangos së fundit me Argjentinën të Lionel Messit. Kundër Beninit, në një Monumental të tejmbushur, 39-vjeçari la gjurmën e tij me dy asistime dhe një gol. Gjithçka përpara syve të trajnerit Scaloni, i cili nuk ishte i vetmi që derdhi lot. Në përfundim të ndeshjes, arbitri i dhuroi “Pleshtit” kartonët e ndeshjes miqësore.
Standing ovations from the whole stadium for Lionel Messi at the 10 minute mark at his final match for Argentina against Benin
by u/xggq in soccer