Michael Douglas ka ndarë një histori pak të njohur nga nisja e marrëdhënies së tij me Catherine Zeta-Jones. Në autobiografinë e tij më të re, aktori i njohur zbulon se i mbylli pesë romanca të tjera për t’iu kushtuar plotësisht gruas që më vonë u bë bashkëshortja e tij.
Të lidhura
None found
Aktori ka treguar prapaskenat e fillimit të dashurisë me Catherine Zeta-Jones, duke zbuluar se ajo i kërkoi të merrte një vendim përfundimtar për të ardhmen e tyre.
Në librin e tij të kujtimeve “One Helluva Ride”, ylli i “Fatal Attraction” shpjegon se pas disa muajsh njohjeje, Zeta-Jones i tha hapur se nuk do të vazhdonte ta takonte nëse ai vijonte të shihte gra të tjera.
“Nuk më intereson të dal me ty nëse ti po takohesh edhe me persona të tjerë”, i kishte deklaruar ajo Douglasit, duke i bërë të qartë se duhej të zgjidhte një marrëdhënie ekskluzive me të.
“Prit një moment, më duhet të bëj pesë telefonata të shpejta”, ishte përgjigjja e befasishme e aktorit.
“Pesë? Duhet të bësh pesë telefonata?!”, kishte reaguar Zeta-Jones.
Douglas shpjegon se pas ndarjes nga gruaja e tij e parë, Diandra Luker, në vitin 1995, pas 23 vitesh martesë, ai kishte nisur lidhje joekskluzive me pesë gra që banonin në qytete të ndryshme.
Po atë ditë, ai telefonoi secilën prej tyre për t’u thënë se kishte njohur dikë dhe se nuk mund të vazhdonte më marrëdhëniet me to. Sipas aktorit, të gjitha e pranuan mirë lajmin.
Takimi i parë nuk ishte aspak ideal
Michael Douglas dhe Catherine Zeta-Jones e nisën romancën në vitin 1998, pas një takimi gjatë Festivalit Amerikan të Filmit në Deauville. Por takimi i tyre i parë nuk shkoi fare siç ishte parashikuar.
“Unë do të jem babai i fëmijëve të tu”, i kishte thënë Douglas aktores atë mbrëmje.
Kjo deklaratë e vuri në siklet Zeta-Jones dhe ajo u largua. Vite më vonë, Douglas e ka justifikuar atë fjali, duke thënë se nuk ishte një përpjekje për ta joshur, por diçka që ai e ndiente sinqerisht.
“Edhe pse e kisha takuar vetëm për një mbrëmje, ajo kishte diçka krejt tjetër. Ndryshonte nga çdo grua që kisha njohur më parë”, shkruan aktori.
Ai e quan bashkëshorten e tij “magjike”, duke theksuar se ishte i bindur që ajo ishte personi i duhur për të.
Për ta bindur Catherine-n t’i jepte një shans të dytë, Douglas i dërgoi një buqetë me lule dhe një letër kërkimi faljeje. Dy vjet më pas, çifti kurorëzoi dashurinë në Plaza Hotel në Nju Jork.
Një çerek shekulli martesë
Michael Douglas dhe Catherine Zeta-Jones kanë dy fëmijë së bashku, Dylan, 26 vjeç, dhe Carys, 23 vjeç, të dy të përfshirë në botën e aktrimit. Douglas ka gjithashtu djalin Cameron, 47 vjeç, nga martesa e parë.
Çifti kaloi një moment të vështirë në vitin 2013, kur u ndanë për pak kohë, pas problemeve shëndetësore të Douglas dhe trajtimit të Zeta-Jones. Megjithatë, ndarja ishte jetëshkurtër.
“Që nga çasti kur u ndamë, nuk e humba kurrë shpresën se do të ribashkoheshim. E dua Catherine në një mënyrë që s’e kam dashur asnjë grua tjetër”, rrëfen Douglas.
Ai e përshkruan atë si bashkëshorten, shoqen më të ngushtë dhe partneren e jetës. Çifti, që ndajnë të njëjtën datëlindje, festoi 25-vjetorin e martesës në nëntor. Me këtë rast, Zeta-Jones i dedikoi bashkëshortit një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar ditën kur kishte ecur drejt altarit.
“Të dua sot njësoj si atëherë”, shkroi ajo në përvjetorin e martesës.
