Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka komentuar zhvillimet lidhur me negociatat për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20 me Bashkimin Evropian, si dhe situatën me fondet IPARD.
Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, Ibrahimaj u pyet nëse ekzekutivi kishte dijeni mbi diskutimet e zhvilluara në grupin e punës COELA, ku vendet anëtare të BE-së vijojnë të diskutojnë për pozicionin ndaj Shqipërisë.
Ministrja tha se mbledhjet e COELA-s zhvillohen me dyer të mbyllura, ndërsa shprehu optimizëm se Kapitulli 20, për të cilin sipas saj Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet, do të mbyllet së shpejti.
“Mbledhjet e COELA-s janë mbledhje me dyer të mbyllura. Ne jemi shpresëplotë që Kapitulli 20, për të cilin ne imungon ende dakordësia në BE për Shqipërinë do të mbyllet shumë shpejt. Shpresa jonë është që shumë shpejt ai do të mbyllet”, u shpreh Ibrahimaj.
Ministrja foli gjithashtu për fondet IPARD, duke deklaruar se Shqipëria është në fazat përfundimtare të procedurave për riakreditimin, çka do t’i hapë rrugë rikthimit të fondeve për sektorin e bujqësisë.
Sipas Ibrahimajt, procesi ka qenë i gjatë dhe ka kërkuar përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm, por tashmë ndodhet në fazat finale.
“Ne presim finalizimin e procedurave për riakreditimin për dhënien e fondit IPARD. Patjetër që është një proces i cili ka qenë i zgjatur. Kemi pasur dokumentacione për të dorëzuar, por është në fazat finale të tij. Presim që shumë shpejt fondet do të hapen”, deklaroi ministrja.
Ajo e cilësoi IPARD-in si një fond me rëndësi të veçantë për zhvillimin e bujqësisë në vend, duke theksuar se problemet që kanë penguar fondet nuk kanë prekur vetëm Shqipërinë.
“Është një fond shumë i rëndësishëm, i cili ndikon në gjithë zhvillimin e bujqësisë. Shqipëria nuk është vendi i vetëm që ka pasur probleme me IPARD dhe tashmë ato janë të zgjidhura”, tha Ibrahimaj.
Kujtojmë se mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk u arrit dakordësia për mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20 të negociatave me Shqipërinë, pavarësisht diskutimeve të zhvilluara dje në grupin e punës COELA.
Çështja do të rikthehet në tryezën e COELA-s edhe gjatë ditës së sotme, ku përfaqësuesit e vendeve anëtare do të vijojnë diskutimet për pozicionin e përbashkët të BE-së ndaj Shqipërisë.
Kapitulli 20 lidhet me “Sipërmarrjen dhe Politikën Industriale” dhe është pjesë e Klasterit 3, “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”. Dokumentet e Këshillit të BE-së konfirmojnë se për këtë kapitull është paraqitur një propozim kompromisi nga presidenca e Këshillit, ndërsa çështja është ende në shqyrtim në COELA.
Shqipëria synon mbylljen e përkohshme të Kapitullit 20, ndërsa një konferencë ndërqeveritare më 13 tetor është raportuar më herët si skenar i pritshëm. Megjithatë, kalimi i çështjes në këtë fazë varet nga përfundimi i diskutimeve dhe arritja e dakordësisë mes vendeve anëtare.
Lini një Përgjigje