
Një zjarr shpërthen në një laborator në Siberi, ku po kryhen kërkime sekrete mbi sëmundjet infektive. Një teknik, i pushtuar nga ndjenja e fajit për aksidentin, zhduket në tundër dhe vret veten. Gjahtarët e gjejnë trupin e tij, por nuk e kuptojnë se ai është i infektuar me një version të modifikuar të bakterit të murtajës. Patogjeni përhapet me shpejtësi në mbarë botën, duke shkaktuar vdekje dhe shkatërrim në një shkallë të paprecedentë në historinë njerëzore.
Ky është subjekti i librit (Lufta Biologjike: Një Skenar), një libër i fundit nga autorja amerikane Annie Jacobsen, i cili imagjinon se çfarë mund të ndodhte nëse një bakter i shndërruar në armë do të dilte nga një laborator.
Libri përshkruan skenarin më të keq të mundshëm, por fillesat e kësaj pandemie të trilluar kanë ngjashmëri shqetësuese me ngjarjet në Rusi gjatë javës së fundit. Janë shfaqur raporte për vdekjen e një punonjëseje 28-vjeçare në Institutin Kërkimor Kundër Murtajës të Siberisë dhe Lindjes së Largët në Shelekhov, një qytet në rajonin e Irkutskut. Rospotrebnadzor, agjencia ruse për sëmundjet infektive, deklaroi se gruaja ishte diagnostikuar me "pneumoni me origjinë të panjohur".

Megjithatë, sipas raportimeve në mediat ruse, gruaja e identifikuar si Daria Shipilova vdiq nga murtaja pneumonike pasi i ra nga dora një epruvetë e mbushur me mostra të gjalla të patogjenit "Yersinia pestis". Ajo u dërgua në spital të martën, më 29 shtator, por vdiq dy ditë më vonë. Sipas mediave, aktualisht po monitorohen për shenja të sëmundjes rreth 200 persona që kanë pasur kontakte me të.
A është serioz incidenti rus dhe cilat janë implikimet e tij më të gjera?
Autoritetet ruse po tregohen shmangëse lidhur me incidentin, duke e bërë të vështirë nxjerrjen e përfundimeve të qarta.
Filippa Lentzos, eksperte e biosigurisë në King’s College London, u shpreh: "Autoritetet ruse duket se po mohojnë faktin që gruaja vdiq nga murtaja apo se ka pasur një aksident laboratorik. Pra, faktet bazë ende nuk janë konfirmuar."
Hamish de Bretton-Gordon, ish-komandant i Regjimentit të Përbashkët Kimik, Biologjik, Radiologjik dhe Bërthamor të Mbretërisë së Bashkuar, gjithashtu paralajmëroi se mungesa e transparencës mbart shenjat dalluese të fillimit të pandemisë së Covid-it. Autoritetet ruse janë mbyllur në heshtje dhe shumë postime në rrjetet sociale janë hequr. E dimë se çfarë ndodhi kur u shfaq Covid-i: kinezët u mbyllën në heshtje, katër milionë njerëz u larguan nga Vuhani dhe sëmundja u përhap në mbarë botën.
“Është e jashtëzakonshme që një teknike laboratori, e cila punonte me murtajën, të vdiste pikërisht nga kjo sëmundje. Ajo duhet të ishte vaksinuar; duhet të ishin marrë masa mjekësore mbrojtëse,” tha ai.
Të hënën, guvernatori rajonal i Irkutskut, Igor Kobzev, deklaroi se një inspektim i kryer nga një komision i posaçëm ekspertësh i agjencisë “Rospotrebnadzor” në rajon kishte konstatuar se “shkaku i vdekjes ishte pneumonia me etiologji të papërcaktuar”.
Ai tha se autoriteti mbikëqyrës shëndetësor kishte përcaktuar se “në mostrat biologjike të gruas së re nuk ishin gjetur mikroorganizma që lidheshin me punën e saj profesionale”. Gjithashtu, ai shtoi se pas vdekjes “nuk kishte pasur raste të reja të punonjësve të institutit kundër murtajës që të kërkonin ndihmë mjekësore”.
Çfarë thonë ekspertët?
Dr. Simon Clarke, profesor i asociuar i mikrobiologjisë qelizore në Shkollën e Shkencave Biologjike të Universitetit të Reading-ut, tha se shpërthimi mund të mos nënkuptojë domosdoshmërisht një pandemi tjetër. Versus.al

