Aktualitet

Fëmijët u besojnë shokëve më shumë se prindërve dhe mësuesve, tregon studimi i bullizmit!

Një nga të dhënat më domethënëse të studimit kombëtar mbi bullizmin në Shqipëri është niveli i lartë i besimit që fëmijët kanë te bashkëmoshatarët e tyre, në krahasim me prindërit apo mësuesit. Sipas akademikes Majlinda Keta, rreth 80% e fëmijëve të pyetur kanë thënë se do t’i besonin një shoku për t’i treguar atë që i mundon, një nivel besimi që nuk e kanë as me prindërit, as me mësuesit.

‘Kjo tregon që edukimi bashkëmoshatar dhe ndërmjetësimi mes nxënësve janë thelbësorë,’ tha Keta, duke zbuluar se aktualisht po ideohet, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar (AKAP), krijimi i një shkolle të ndërmjetësuesve të rinj në sistemin arsimor shqiptar.

Kjo iniciativë synon ta rikthejë praktikën e ndërmjetësimit mes bashkëmoshatarëve si pjesë e programeve shkollore, në bashkëveprim me artin, për të ndërtuar një brez më koheziv dhe më të disiplinuar. Keta theksoi gjithashtu rëndësinë e nismave si ‘klasa e parë prindërore’, një projekt i përbashkët i Autoritetit të Sigurisë Kibernetike dhe Ministrisë së Arsimit, që synon të përmirësojë cilësinë e prindërimit përballë sfidave të reja digjitale dhe sociale që përballen fëmijët shqiptarë sot.