Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta lidhur me aktivitetin e Call Center-ave në Shqipëri, duke pretenduar se pas skemave mashtruese qëndrojnë persona të lidhur me mazhorancën.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se “pas Call Center-ave mashtrues në Shqipëri është Olsi Rama, Olta Xhaçka”, ndërsa i akuzoi ata për lidhje me Amant Josifin dhe të ashtuquajturin prej tij “grupi Milton”.
“E them me përgjegjësi të plotë, pas Call Center-ave mashtrues në Shqipëri është Olsi Rama, Olta Xhaçka. Janë këta të dy me famëziun Amant Josifi që u largua”, u shpreh Berisha.
Ai pretendoi se grupi Milton vazhdon të jetë aktiv në Shqipëri dhe se Call Center-at e rinj përdorin programe, pajisje dhe skema të lidhura me këtë grup.
Sipas Berishës, punonjësit e këtyre kompanive janë “më të skllavëruarit”, pasi, sipas tij, punësohen në kushte të vështira dhe trajnohen për të kryer veprimtari për të cilat nuk kanë dijeni të plotë.
“Punëtorët e Call Center-ave, që ta dini, janë punëtorët më të skllavëruar, të cilët instruktohen të kryejnë një veprimtari ku shumica nuk e dinë çfarë po bëjnë”, deklaroi ai.
Berisha pretendoi gjithashtu se aktiviteti i Call Center-ave të caktuara mbrohet nga institucionet shtetërore, duke përmendur Tatimet dhe Policinë. Ai tha se autoritetet duhet të marrin në pyetje vetë punonjësit për të zbardhur mënyrën e rekrutimit dhe protokollet që, sipas tij, u vendosen për të ndjekur.














