Gjirokastra dhe Vlora renditen ndër zonat me popullësinë më të plakur në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor. Sipas Eurostat, në vitin 2025, rreth 54% e popullsisë së tyre i përket grup-moshës 20–64 vjeç, duke reflektuar një strukturë demografike më të plakur, veçanërisht në Jug të vendit. Në skajin tjetër është Tirana, ku kjo grup-moshë përbën 60.5% të popullsisë, niveli më i lartë në Shqipëri dhe ndër më të lartët në Ballkanin Perëndimor. Pas saj renditen Dibra, Durrësi, Kukësi dhe Elbasani, ndërsa në nivelet më të ulëta janë Fieri, Korça, Shkodra, Vlora dhe Gjirokastra. Dallimet territoriale, sipas revistës monitor, janë të dukshme edhe mes tre rajoneve të mëdha të vendit. Në Qendër, ku përfshihet Tirana, popullsia 20–64 vjeç përbën 59.9%, ndërsa në Veri 57.6% dhe në Jug vetëm 55.5%. Kjo tregon një ndarje të fortë demografike mes zonave të vendit.