Gjurmët e së kaluarës komuniste janë ende të pranishme në hapësirat publike të Tiranës. Disa prej tyre dokumentohen në ekspozitën “Gjurmë të luftës në kujtesën historike të Shqipërisë”, të çelur në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare mbi trashëgiminë komuniste dhe kujtesën historike, e cila ka mbledhur studiues, historianë dhe ekspertë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës.

“Regjimet përpiqen dhe e shfrytëzojnë hapësirën publike për të projektuar pushtet, për të projektuar histori. Edhe këtu janë gjurmët e historisë së komunizmit.”, tha Çelo Hoxha, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri.

Në fokus të ekspozitës janë disa pllaka përkujtimore, të vendosura gjatë regjimit komunist në muret e institucioneve shtetërore. Ato përkujtojnë episode të viteve 1942-1943, të cilat regjimi i paraqiti si akte heroizmi gjatë luftës për çlirimin e vendit, por që në shumë raste ishin vjedhje të ndryshme të bëra nga ministritë e kohës. Sot, këto pllaka shihen edhe si dëshmi të mënyrës se si pushteti komunist ndërtoi dhe përcolli kujtesën historike.

“Ka një kontrast, sepse vjedhja ka qenë një veprim i dënueshëm, megjithatë vazhdon të nderohet si një akt heroik, historik, që mbart vlera për pushtetin e Shqipërisë.”, vijoi Hoxha.

Ekspozita synon të nxisë një qasje kritike ndaj mënyrës se si kujtesa është ndërtuar dhe ruajtur ndër vite. Pikërisht kjo është edhe tema e konferencës ndërkombëtare që mbledh në Tiranë studiues, historianë dhe ekspertë nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të Europës.

“Përshtypja ime është se kujtesa e komunizmit është më e pranishme në Shqipëri se në Rumani. Jemi këtu duke folur për atë që ruajmë ende nga kjo kujtesë kulturore dhe materiale e komunizmit në ish-vendet komuniste.”, tha Luciana Jinga nga Instituti për Hetimin e Krimeve të Komunizmit në Rumani.

Por a po ruhet siç duhet kjo kujtesë mbi komunizmin?

“Është shumë e rëndësishme t’i ndajmë këto kujtime me brezat e ardhshëm, me ata fëmijë e të rinj që nuk kanë asnjë njohuri ose përvojë personale për atë që ka ndodhur në të kaluarën.”, tha Rajmund Fakete, drejtor i Institutit të Kërkimeve për Komunizmin në Hungari.

Ekspertët sjellin në Tiranë edhe përvojat e vendeve të tjera ish-komuniste, ku ndërtesa, muze dhe memoriale janë kthyer në hapësira përballjeje me të shkuarën, siç është rasti i Shtëpisë së Terrorit në Budapest.

“Që nga hapja e tij në vitin 2002, më shumë se një milion njerëz e kanë vizituar këtë muze. Dhe ky nuk është thjesht një muze i zakonshëm; është një muze dhe memorial për ata që vuajtën, për ata që humbën jetën, për viktimat.”, shtoi Fakete.

Por përballë këtyre shembujve, edhe mënyra se si Shqipëria ka zgjedhur të trajtojë simbolet e së kaluarës ngre pikëpyetje. Një prej tyre është Piramida e Tiranës, e ndërtuar fillimisht si muze kushtuar Enver Hoxhës dhe e transformuar sot në një qendër kulturore.

“Mendoj se i takon çdo vendi të vendosë se çfarë do të bëjë me kujtimet e veta, kështu që nuk u takon mua apo kolegëve të mi të themi nëse kjo është midis së mirës apo së keqes. Por është e vërtetë se, kur diskutuam me kolegët tanë nga Shqipëria, shembulli i Piramidës përsëri na duket paksa i çuditshëm. Të gjithë e dimë se çfarë përfaqësonte ajo me origjinë. Tani më pëlqen si hapësirë kulturore, si një qendër kulturore, por përsëri ngre disa shqetësime e pikëpyetje për ne si historianë dhe kërkues. Për shembull, ne kemi shtëpinë e Nicolae Ceaușescu-t në Bukuresht, e cila sot është kthyer në muze, por paraqitet pikërisht ashtu siç është: “kjo është shtëpia e ish-udhëheqësit komunist”. Është ajo që është, nuk kemi pse ta maskojmë në forma të tjera.”, vijoi Jinga.

Për dy ditë, diskutimet do të përqendrohen te monumentet dhe hapësirat e kujtesës, muzealizimi i komunizmit, drejtësia tranzicionale, edukimi dhe kujtesa kolektive. Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe mënyrës se si kjo trashëgimi duhet t’u përcillet brezave të rinj. Konferenca dhe ekspozita synojnë jo vetëm ruajtjen e gjurmëve të së kaluarës, por edhe një debat më të thellë mbi mënyrën se si shoqëria shqiptare e kujton, e interpreton dhe ua përcjell brezave trashëgiminë e regjimit komunist.