GJKKO e dënoi me me 6 vjet e 8 muaj, Avokati i Popullit nis verifikimin për rastin e nënës me foshnjën 4-muajshe në burgun e Pojskës

7 Tetor 2026, 14:42Kronika TEMA
GJKKO e dënoi me me 6 vjet e 8 muaj, Avokati i Popullit nis verifikimin

Rasti i një gruaje të dënuar me burgim, e cila ndodhet në institucionin e vuajtjes së dënimit në Pojskë së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe, ka tërhequr vëmendjen e Avokatit të Popullit.

 

Në një reagim për interesin e medias, institucioni bën me dije se sot një grup pune i Mekanizmit për Parandalimin e Torturës ka shkuar në burgun e Pojskës për të verifikuar situatën dhe rrethanat e rastit.

“Një grup pune i Institucionit të Avokatit të Popullit, konkretisht Mekanizmi për Parandalimin e Torturës, po shkon në burgun e Pojskës, për të verifikuar situatën lidhur me dënimin e një zonje, që është njëherësh edhe nënë e një foshnje 4 muajshe”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Institucioni deklaron se pas përfundimit të monitorimit do të bëjë të ditura gjetjet.

Rasti lidhet me Greta Gjocin, e njohur edhe si Greta Pepa, e cila, sipas të dhënave të bëra publike, është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim për veprat penale “mashtrim kompjuterik” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Më 5 tetor, Apeli i GJKKO-së la në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Sipas informacioneve të bëra publike, Gjoci është dërguar në burgun e grave në Pojskë dhe me të ndodhet edhe foshnja e saj 4-muajshe.

Ndërkohë, verifikimi i nisur nga Avokati i Popullit pritet të hedhë dritë mbi kushtet dhe mënyrën e trajtimit të kësaj situate, ndërsa gjetjet e monitorimit pritet të bëhen publike nga institucioni.

 

Lini një Përgjigje