web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Pengmarrja” e avokatëve nga Maks Haxhia/ Meta: Konflikti vonon proceset e rregullta ligjore

7 Tetor 2026, 14:52, Aktualitet CNA

“Pengmarrja” e avokatëve nga Maks Haxhia/ Meta: Konflikti vonon

Ish-Presidenti Ilir Meta ka reaguar sërish në lidhje me marrjen “peng” të avokatëve nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë me në krye Maks Haxhinë, i cili është vënë në shërbim të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, me skenarë duke përdorur si justifikim për bojkot të seancave rregulloren e re të GJKKO-së.

Meta i ka bërë thirrje Kuvendit të mos qëndrojë indiferent, por të nxisë dialogun mes palëve dhe të ndërhyjë konkretisht në ligjin për Avokatin në favor të proceseve të rregullta gjyqësore dhe dhënies sa më parë të drejtësisë për qindra mijëra dosje që presin drejtësi, për t’i dhënë fund këtij kaosi të qëllimshëm, absurd, të paarsyeshëm dhe minues për besimin publik te drejtësia.

Meta thekson se konflikti i qëllimshëm është veçse vijim i shkatërrimit me dashje të proceseve të rregullta ligjore.

Reagimi i Metës

Përshkallëzimi i konfliktit të GJKKO të Shkallës së Parë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë ka qenë tërësisht jo vetëm i panevojshëm, por edhe i evitueshëm, pasi Rregullorja e GJKKO të Shkallës së Parë është miratuar që më 17 korrik 2026, është bërë publik më 31 korrik 2026 dhe ka hyrë në fuqi që më 1 shtator 2026.

Dhjetëra gjyqe të shtyra, të cilat shoqërohen me zvarritjet e gjykimeve, cënimin e proceseve të rregullta ligjore, cënim i të drejtave ekonomike të avokatëve, por edhe të vetë shtetit, që paguan për shoqërimin e të paraburgosurve nga burgjet e rretheve në Tiranë, përveç kostove të qytetarëve të pandehur dhe familjarëve të tyre.

Por vazhdimi i heshtjes së qëllimshme nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë flet më shumë se vetë konflikti.

Kjo heshtje e qëllimshme bëhet edhe sarkastike këto kohë që Qeveria po na mban leksione për të drejtat e njeriut dhe rëndësinë e rolit të avokatëve në proceset penale.

Ndaj Kuvendi nuk mund të qëndrojë më indiferent, por duhet të nxisë dialogun mes palëve dhe të ndërhyjë konkretisht në ligjin për Avokatin në favor të proceseve të rregullta gjyqësore dhe dhënies sa më parë të drejtëisë për qindra mijëra dosje që presin drejtësi, për t’i dhënë fund këtij kaosi të qëllimshëm, absurd, të paarsyeshëm dhe minues për besimin publik te Drejtësia.

Ky është qëndrimi im konsistent publik, i cili është shoqëruar me veprime institucionale nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, që në datën 24 shtator 2026.

Ndërsa si person i interesuar (siç jam shprehur me shkrim dhe verbalisht para GJKKO të Shkallës së Parë), jo vetëm kam marrë pjesë në çdo seancë, por edhe kam shprehur vullnetin e qartë për të vazhduar gjykimin ndaj meje bazuar në Kodin e Procedurës Penale.

Çuditërisht Prokurori kërkoi pezullimin e afateve të paraburgimit tim, por nuk kërkoi të caktohej avokat kryesisht.

Edhe Gjykata çuditërisht pranon kërkesën absurde të Prokurorit, pezullon afatet e paraburgimit, por nuk cakton avokat kryesisht (sipas Kodit të Procedurës Penale) pikërisht për shkak të këtij ngërçi institucional me regji të qartë politike.

Kjo nuk ka lidhje me Reformën në Drejtësi të miratuar më 21 korrik 2016, por me tjetërsimin e saj në Ramaformë.

Ndaj ky konflikt i qëllimshëm është veçse vijim i shkatërrimit me dashje të proceseve të rregullta ligjore e për rrjedhojë të vetë shtetit të së drejtës nga Ramaforma.

Në respekt të opinionit publik, dua të sqaroj se që nga seanca e parë e gjykimit paraprak dhe deri tani, kurrë nuk kam munguar në asnjë seancë gjykimi dhe nuk do të mungoj asnjëherë.

Përballjen si me Drejtësinë, por edhe me diktaturën, e kam jo vetëm detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, por përballja është në vetë AND-në time.

Për shkak të Ramaformës, hetimi që duhet të ishte i fshehtë, bëhet publik, ndërsa gjykimi që me ligj duhet të jetë publik, jo vetëm bëhet i fshehtë, por edhe zvarritet. / CNA 





Lajmet e fundit nga