Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish për situatën absurde që është duke u zhvilluar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, ku asnjë nga gjyqet për masat e sigurisë dhe ata të themelit nuk po mbahet, sepse avokatët kanë bojkotuar punën.
Ai thotë se përshkallëzimi i konfliktit të GJKKO të Shkallës së Parë me Dhomën Kombëtare të Avokatisë ka qenë tërësisht jo vetëm i panevojshëm, por edhe i evitueshëm, pasi Rregullorja e GJKKO është miratuar që më 17 korrik 2026, është bërë publik më 31 korrik 2026 dhe ka hyrë në fuqi që më 1 shtator 2026.
"Dhjetëra gjyqe të shtyra, të cilat shoqërohen me zvarritjet e gjykimeve, cënimin e proceseve të rregullta ligjore, cënim i të drejtave ekonomike të avokatëve, por edhe të vetë shtetit, që paguan për shoqërimin e të paraburgosurve nga burgjet e rretheve në Tiranë, përveç kostove të qytetarëve të pandehur dhe familjarëve të tyre.
Por vazhdimi i heshtjes së qëllimshme nga ana e Kuvendit dhe Qeverisë flet më shumë se vetë konflikti. Kjo heshtje e qëllimshme bëhet edhe sarkastike këto kohë që Qeveria po na mban leksione për të drejtat e njeriut dhe rëndësinë e rolit të avokatëve në proceset penale", shkruan Ilir Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë thekson se në këtë situatë, Kuvendi nuk mund të qëndrojë më indiferent, por duhet të nxisë dialogun mes palëve dhe të ndërhyjë konkretisht në ligjin për Avokatinë në favor të proceseve të rregullta gjyqësore dhe dhënies sa më parë të drejtësisë për qindra mijëra dosje që presin drejtësi, për t’i dhënë fund këtij kaosi të qëllimshëm, absurd, të paarsyeshëm dhe minues për besimin publik te drejtësia.
"Ky është qëndrimi im konsistent publik, i cili është shoqëruar me veprime institucionale nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi, që në datën 24 shtator 2026.
Ndërsa si person i interesuar (siç jam shprehur me shkrim dhe verbalisht para GJKKO të Shkallës së Parë), jo vetëm kam marrë pjesë në çdo seancë, por edhe kam shprehur vullnetin e qartë për të vazhduar gjykimin ndaj meje bazuar në Kodin e Procedurës Penale.
Çuditërisht Prokurori kërkoi pezullimin e afateve të paraburgimit tim, por nuk kërkoi të caktohej avokat kryesisht.
Edhe Gjykata çuditërisht pranon kërkesën absurde të Prokurorit, pezullon afatet e paraburgimit, por nuk cakton avokat kryesisht (sipas Kodit të Procedurës Penale) pikërisht për shkak të këtij ngërçi institucional me regji të qartë politike.
Kjo nuk ka lidhje me Reformën në Drejtësi të miratuar më 21 korrik 2016, por me tjetërsimin e saj në Ramaformë", vijon Ilir Meta.
