
Interesi i bizneseve të vogla dhe të mesme për skemën “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” vijon të rritet. Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se aktualisht rreth 400 biznese janë në proces aplikimi, ndërsa deri më 5 tetor janë miratuar 32 kredi, me një vlerë totale prej 5 milionë eurosh.
Sipas Ramës, ritmi i miratimit të kredive është përshpejtuar gjatë muajve të fundit. Në gusht janë miratuar 5 kredi, në shtator 20, ndërsa në ditët e para të tetorit janë miratuar edhe 7 kredi të tjera.
Skema është krijuar për të mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme që kanë një plan për zgjerimin e aktivitetit, por përballen me vështirësi në sigurimin e financimit.
Programi ofron kredi me interes deri në 2%, garanci shtetërore deri në 70%, financim deri në 2 milionë euro dhe afat shlyerjeje deri në 10 vjet.
Rama tha se kjo skemë synon t'u japë mundësi bizneseve që kanë krijuar eksperiencën dhe kapacitetet për t'u rritur, por nuk kanë mundësitë e nevojshme financiare.
“Programi ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’ ka ardhur si nevojë për të mbështetur nga shumë afër sipërmarrje të vogla e të mesme që ia kanë dalë të formësohen e t’i mbijetojnë sfidave të krijimit të tyre në një treg të hapur, por sot nuk kanë mundësitë financiare për t’u rritur”, u shpreh kryeministri.
Ai theksoi se kushtet e financimit janë lehtësuar përmes garancisë shtetërore dhe normës së ulët të interesit.
“Është një kornizë shumë e favorshme, e bërë enkas për biznesin e vogël dhe të mesëm, për të gjithë ata që kanë një ide në kokë dhe një plan si të rriten, por kanë nevojë për financim”, deklaroi Rama.
Kryeministri nënvizoi se hapësira e skemës është për një numër më të madh përfituesish dhe u bëri thirrje bizneseve të tjera që të aplikojnë./Versus.al

