NASA ka publikuar një fotografi të jashtëzakonshme të agimit në Mars, të realizuar nga roveri Curiosity. Në pamje shfaqen rrezet e para të diellit që ndriçojnë formacione shkëmbore të krijuara miliarda vite më parë.
Fotografia është realizuar më 11 gusht nga kamera Mastcam e Curiosity-t, rreth një orë pasi dielli kishte lindur mbi horizontin marsian. Në sfond shihen formacione shkëmbore të gdhendura nga era, të njohura si “yardangs”.
Ato shtrihen në një zonë rreth 16 kilometra në pjesën veriperëndimore të malit Sharp, një masiv rreth 5 kilometra i lartë që ngrihet nga krateri Gale.
Curiosity mbërriti në Mars në vitin 2012 dhe që prej vitit 2014 është duke u ngjitur në malin Sharp. Misioni ka për qëllim të ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë nëse Marsi ka pasur dikur kushte më të ngrohta dhe më të lagështa, potencialisht të përshtatshme për jetë mikrobike.
NASA shpreson që Curiosity të arrijë në zonën e këtyre formacioneve shkëmbore në vitet 2027 ose 2028, për t'i studiuar nga afër.
© SYRI.net