Rusia i vë zjarrin Ukrainës, Zelensky për të vrarët: Dhuratë e ushtrisë për ditëlindjen e Putin

Nga Xhevahir Qardaku
7 Tetor 2026, 15:25 | Bota

Një tjetër natë ‘ferri’ mbi Ukrainë… Rusia ka lëshuar një prej sulmeve më të rënda, duke shkaktuar mbi 19 persona të vrarë dhe 60 të plagosur. “Sot, për ditëlindjen e Putinit, ushtria ruse i ka dhuruar shkatërrimin e një pallati rezidencial në Priljuk, në rajonin e Çernihivit. Ishte një pallat me 5 kate”, deklaron presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ai shton se një prej synimeve të Moskës është dëmtimi apo shkatërrimi i rrjetit energjitik. Zelensky rithekson nevojë jetike që vendi i tij ka për mbrojtjen ajrore: “Pikërisht për këtë arsye kërkojmë çdo ditë raketa për sistemet Patriot, që mund të mbrojnë jetën e personave këtu në qiellin e Ukrainës”, thekson ai.

Rusia pretendon se ka shënjestruar disa fabrika ushtarake që prodhonin, mes tjerash, raketa Flamingo. Në Priljuk bilanci i viktimave shkoi në 13, ndërsa rezultojnë ende persona të zhdukur që mund të jenë nën rrënoja, shkruan A2 CNN. Raketa dhe dronë ranë gjithashtu mbi kryeqytetin Kiev. Të paktën 2 persona kanë humbur jetën, ndërsa miliona kërkuan strehim në zona të sigurta.

Kryebashkiaku, Vitali Kliçko, njoftoi se janë goditur komplekse banimi, ndërsa ekipet e emergjencës shkuan menjëherë në vendngjarje për të shuar flakët dhe shpëtuar njerëz të bllokuar. Alarmi ajror u dëgjua thuajse në të gjithë territorin e Ukrainës, në një kohë kur për vizitë gjendet Komiteti Ushtarak i NATO-s, me në krye admiralin Xhuzepe Kavo Dragone.

Luftë ka pasur edhe në anën tjetër të kufirit. Rusia pretendon rrëzimin e 311 dronëve të lëshuar nga Ukraina në mbi 16 rajone të ndryshme, përfshirë Detin e Zi dhe atë Azov. Zelenski e quajti atë një “përgjigje të drejtë ndaj të gjitha sulmeve ruse”, teksa njoftoi se janë goditur dy objekte nafte dhe një kamp stërvitor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos