Fillimi i studimeve bachelor “Siguria dhe Hetimi”, Hita: Policia është mision
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita ka marrë pjesë në ceremoninë për fillimin e studimeve bachelor “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë. Gjatë fjalës së tij Hita u shpreh se Policisë së Shtetit i duhet brezi i ri me energji dhe komponentë që ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve. Ai theksoi se Policia nuk është vetëm profesion por një mision.
“Është emocionuese dhe shpresëdhënëse kur ulesh mes të rinjve dhe të rejave që aspiratat e tyre i adresojnë në një drejtim: në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës.
Por sot ndihem i emocionuar dhe i bindur se vendimmarrja për t’u dhënë mundësinë maturantëve të konkurrojnë për të ndjekur Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” ishte e duhura. Policisë së Shtetit i duhet brezi i ri, energjia, mentaliteti dhe fytyra e re, komponentë që ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve te Policia.
Në tri vitet e fundit, që kur kemi hapur dyert e Akademisë për maturantët, interesi ka qenë shumë i lartë. Mijëra të rinj e të reja kanë zgjedhur Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” për të ndjekur studimet Bachelor dhe sot, pas një procesi konkurrues dhe transparent, janë 390 maturantë që ndjekin këto studime.
Sot, Akademia e Sigurisë është zhvilluar në çdo drejtim. Ajo është e binjakëzuar dhe anëtare e bordeve të akademive prestigjioze në rajon, Evropë dhe SHBA. Ka në dispozicion literaturë të akademisë italiane, si dhe ambiente e laboratorë të përshtatshëm për të përmbushur sa më mirë procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Në këto ambiente jam shkolluar edhe unë, e bashkë me mua breza të tërë të Policisë së Shtetit. Por, ndryshe nga sot, ne ishim shumë më pak të privilegjuar në të gjitha aspektet, pasi edhe Policia ishte ende e brishtë.
Ndërsa sot, Policia e Shtetit është rritur profesionalisht dhe është e barabartë me partnerët, e besueshme dhe pjesë e hetimeve dhe operacioneve ndërkombëtare.
Të dashur studentë, Për ju nisi një rrugëtim i ri, si në aspektin e dijes, ashtu edhe të misionit që keni marrë përsipër.
Sepse Policia e Shtetit nuk është thjesht profesion, por është mision. Dhe për të përmbushur këtë mision duhen këmbëngulje, vullnet, dije, përgatitje fizike, disiplinë, respekt për njëri-tjetrin dhe për pedagogët.
Pas tri vitesh do të jeni oficerë të Policisë së Shtetit, një titull që ju jep privilegjin, por mbi të gjitha përgjegjësinë, për t’iu shërbyer qytetarëve, sigurisë dhe vendit.
Ndaj mësoni sa më shumë, sepse dija, e gërshetuar me stërvitjen dhe disiplinën, do të jenë faktorët kryesorë në formësimin tuaj profesional dhe njerëzor gjatë këtyre viteve.
Që ditën e parë të punës sime si Drejtor i Përgjithshëm, Akademia ka qenë dhe do të jetë në vëmendjen time të veçantë, sepse ajo është motori kryesor i rigjenerimit të Policisë, i shkollimit, trajnimit dhe përgatitjes së brezave të rinj të Policisë së Shtetit.
Jam angazhuar maksimalisht, së bashku me Rektorin dhe Bordin e Akademisë, për të eliminuar çdo problematikë që kemi hasur gjatë këtij viti dhe do të jem pranë jush, ashtu siç do të jem pranë çdo punonjësi të Policisë së Shtetit që, me ndershmëri, përkushtim dhe sakrificë, përmbush këtë mision të shenjtë.
Mos nguroni të më shkruani për çdo shqetësim apo ide për përmirësim. Duke folur, komunikuar dhe duke dhënë kontributin tuaj në zgjidhjen e problematikave kudo që ato shfaqen.
Dhe mos harroni përgjegjësinë që keni marrë mbi vete dhe përkushtimin që duhet të keni për të dalë sa më të aftë nga ky fakultet, për t’i shërbyer qytetarit, ligjit dhe atdheut! Ju uroj shumë suksese në këtë rrugëtim të ri”, tha ai.
“Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama: Janë miratuar 32 kredi me vlerë 5 milionë euro
Berisha fton qytetarët në protestë para Kuvendit: Të bashkohemi kundër shkrirjes së bashkive
Karakaçi: Avancojnë punimet për bypass-in e Elbasanit, 3-5 kompani të interesuara për operatorin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas
- 15:17 “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Rama: Janë miratuar 32 kredi me vlerë 5 milionë euro
- 15:12 Majlinda Bregu: Tërhiq e mos e këput…
- 14:44 NASA: Rusia dhe Kina mund t’i bashkohen Marrëveshjeve Artemis nëse përputhen me parimet
- 14:40 Berisha fton qytetarët në protestë para Kuvendit: Të bashkohemi kundër shkrirjes së bashkive
- 14:31 Trump: Do flas me Putinin për vdekjen e punonjëses në laboratorin e murtajës
- 14:27 Karakaçi: Avancojnë punimet për bypass-in e Elbasanit, 3-5 kompani të interesuara për operatorin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas