web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

82-vjetori i mjekut Ëngjëll Gusho/ Gjashtë dekada në shërbim të pacientëve

7 Tetor 2026, 15:34, Aktualitet CNA

82-vjetori i mjekut Ëngjëll Gusho/ Gjashtë dekada në

Në 82-vjetorin e lindjes, CNA sjell profilin e mjekut të njohur endokrinolog, Ëngjëll Gusho, një emër i lidhur prej afro gjashtë dekadash me mjekësinë dhe veçanërisht me shërbimin shëndetësor në Korçë.

Një jetë e tërë kushtuar bluzës së bardhë, e nisur që në adoleshencë dhe e vijuar për dekada në spitale, pavijone, qendra shëndetësore dhe përballë mijëra pacientëve. Edhe pse prej vitesh ka dalë në pension, doktori Ëngjëll Gusho vazhdon të ushtrojë profesionin dhe të jetë pranë pacientëve, duke e konsideruar mjekësinë jo thjesht një profesion, por një pjesë të pandarë të jetës së tij.

I lindur në Pogradec, doktor Gusho e ka ndërtuar karrierën e tij kryesisht në Korçë, ku ka kontribuar në zhvillimin e shërbimit të endokrinologjisë dhe trajtimin e sëmundjeve të diabetit, tiroides dhe çrregullimeve të metabolizmit. Por rrugëtimi i tij drejt mjekësisë ka nisur shumë më herët. Që në moshën 14-vjeçare ai zgjodhi të ndiqte shkollën e mesme mjekësore në Tiranë, larg familjes, në një kohë kur komunikimi dhe udhëtimet ishin krejt ndryshe nga sot.

“Mjekësia ka qenë tërë jeta ime, që në moshën 14-vjeçare. Fillova shkollën e mesme në Politeknikumin Mjekësor. Ishte një shkollë me të vërtetë, në kuptimin e përgatitjeve për mjekësi, dhe njëkohësisht edhe për edukatë. Rrinim në konvikt, shkonim në shtator dhe ktheheshim nga Korça në Tiranë, nga Tirana në Korçë në fund të vitit. Bënim disa ditë pushime, pastaj vinim përsëri edhe 6 muajt e tjerë në shkollë. Nuk kishte as telefon, as celularë në atë kohë. Shumë shumë ndonjë letër që deshte tre-pesë ditë të vinte. Dhe në shkollën e mesme, kur vinin letrat nga prindërit, sepse ishim nga e gjithë Shqipëria, në sallë, në mencë bile, zakonisht në mencë, ai që kishte marrë letrat dilte mbi një karrige dhe thërriste emrat kush i kishin ardhur letrat. Është shumë interesante kjo që po më kujton ti mua sot. Prandaj thashë, sipas kohës. Në këtë kohë s’ka nevojë fare thashë, me celular lidhesh në tërë botën. Kurse nga Korça në Tiranë më duhej të niseshe me autobus në pikë të mëngjesit, arrija deri në Elbasan, i hipje trenit dhe mbërrije në Tiranë në orën 10 të natës”,-tregon Gusho. 

Krahas vështirësive të kohës, shkollimi kërkonte disiplinë dhe përkushtim. Ditët ishin të mbushura me mësime, studim dhe aktivitete, ndërsa koha e lirë ishte e kufizuar. Për të riun asaj kohe Ëngjëll Gusho, gjithçka ishte pjesë e rrugëtimit drejt profesionit që më vonë do t’i kushtonte gjithë jetën.

“Megjithatë vazhdonte puna, mësonim. Kishim mësimet mëngjes deri në drekë, pastaj shkonim të organizuar për të ngrënë drekë, ktheheshim në konvikt, bënim edhe dy-tre orë studime pasdite. Dhe kjo ishte tërë java. Në fund të javës kishim liri dalje që mund të shëtisnim, të vinim ose në teatër, ose në kinema, ose dhe në opera në Tiranë, shkolla e mesme. Fakulteti ishte diçka tjetër pastaj, edhe atje në konvikt, por ishim më të lirë, shkonim çdo kohë. Zakonisht studionim nëpër dhoma ose studionim nëpër biblioteka, kishim Bibliotekën Kombëtare, biblioteka të ndryshme që vinim e studionim”,-kujton mjeku Gusho. 

Në vitin 1967, pas përfundimit të studimeve dhe provimeve të shtetit, nis edhe karriera profesionale. Përpara se të merrte diplomën, ai angazhohet si vullnetar në aksionin për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier. Më pas vjen emërimi që do ta lidhte përfundimisht me Korçën. Fillimisht punon si mjek i përgjithshëm në spitalin e Korçës, më pas në Sheqeras dhe në spitalin e Maliqit, ku për disa vite shërben edhe si drejtues i institucionit shëndetësor.

“Në vitin 1967 mbaruam provimet e shtetit në qershor. Pastaj një muaj e gjysmë nuk kishim marrë akoma ato diplomat, atë lirimin e diplomave, por një muaj e gjysmë shkuam vullnetarë për ndërtimin e hekurudhës Rrogozhinë-Fier. Me të mbaruar aksioni, erdhën emërimet nga Ministria e Shëndetësisë. Caktohem në Korçë mjek, bashkë me mjekë të tjerë të Korçës. Mund të përmend emrat Gaqo Kane, Rami Dalipi, ndjesë pastë, Shefqet Malollari, ndjesë pastë, edhe plot mjekë të tjerë që kemi qenë këtu. Në shtator fillova punën në spital. Ishte një vit përgatitje në pavijonin e patologjisë: mjek i përgjithshëm për patologjinë”,-rrëfen mjeku. 

Puna në terren dhe përballja me realitetin shëndetësor të zonave rurale do të ishin pjesë e rëndësishme e formimit të tij profesional. Një vit në Sheqeras dhe më pas disa vite në spitalin e Maliqit, ku përgjegjësitë nuk kufizoheshin vetëm brenda mureve të spitalit. Mjeku duhej të ishte në dispozicion të banorëve të qytetit dhe të fshatrave përreth, duke kryer vizita dhe depistime periodike.

“Pas një viti, në 1968-ën, për arsye se kishte shumë sëmundshmëri në rrethet, sidomos në Maliq, po në Ndërmarrjen e Bujqësisë të Fermës, më caktuan mjek i përgjithshëm në Sheqeras. Një vit në Sheqeras. Bënim aty ato studime jo për vdekshmërinë e të tjerë e të tjerë. Pas një viti, për arsye se më çmuan mirë në punë, më transferojnë sepse mjeku i spitalit të Maliqit që ishte doktor Sofroni, transferohet ai në Korçë edhe mua më caktojnë në spitalin e Maliqit. Aty quhesha edhe drejtor i spitalit të Maliqit me personel. Kishte katër shtretër për të sëmurët, katër për pediatri, për fëmijët, edhe katër shtretër për obstetrikë, maternitet. Një personel prej 35-40 vetash, aty vazhdonim punën 3 vjet e gjysmë. Nuk ishte vetëm Maliqi me vizita, por ishin edhe fshatrat e Maliqit që vinin, vizitoheshin aty, që vinin të paktën një herë në 2-3 javë duhet të vinin në çdo fshat për të bërë depistimet e ndryshme”,-shprehet Gusho. 

Pas viteve të para si mjek i përgjithshëm, vjen kthesa që do ta përcaktonte profilin e tij profesional. Në vitin 1973 dërgohet në Tiranë për kualifikim në sëmundjet endokrine. Pas përfundimit të kualifikimit rikthehet në Korçë dhe nis punën për ngritjen e shërbimit të specializuar për sëmundjet endokrine dhe diabetin. Por për të vijuar më tej specializimin, rikthehet sërish në Tiranë, këtë herë për një vit të plotë specializimi.

“Pas 3 vjet e gjysmë transferohem përsëri në Korçë, hapet vendi, dhe më thanë që do të shkosh për kualifikim në Tiranë për sëmundjet endokrine. Ishte 3-mujorsh kualifikimi, në vitin 1973. Mbaroj 3-mujorshin, u ktheva në Korçë me kualifikim, hapim dispanserin e sëmundjeve endokrine, të diabetit, të gjendrës tiroide dhe sëmundjeve të tjera të metabolizmit. Kaloi viti 1973 deri në fund të vitit. Ky kualifikim duhet të bëhej specializim. Specializimi ishte 1-vjeçar. Pra, gjithë vitin 1974 në Spitalin e Tiranës për specializim. Dhe nga specializimi, në vitin 1975, mjek endokrinolog në Spitalin e Korçës derisa dola në pension në vitin 2007”,-tregon Gusho mes kujtimesh . 

Nga viti 1975 deri në daljen në pension në vitin 2007, doktor Gusho shërbeu si mjek endokrinolog në Spitalin e Korçës. Por pensioni nuk do të shënonte fundin e marrëdhënies së tij me profesionin. Edhe sot, në moshën 82-vjeçare, ai vazhdon të jetë aktiv dhe të ndihmojë pacientët, duke e parë përvojën e një mjeku si një përgjegjësi që nuk përfundon me daljen në pension.

“Nuk largohem dot sepse kam dëgjuar një fjalë që thotë që: kur del në pension, qoftë kushdo që të jetë, drejtor ose çfarëdo që të jetë, mbaron së qeni drejtor dhe bëhet ‘ish-drejtor’. Mbaron së qeni ashtu, bëhet ‘ish’. Kurse doktori, jo vetëm unë, por doktori nglet gjithmonë doktor. Edhe në 90 vjet ai do t’i kërkojnë ndonjë gjë, ka eksperiencën, ka mendjen, ato që mundet, ai përsëri doktor nglet. Prandaj unë mundohem që ta mbush këtë kohë të moshës duke ndihmuar njerëzit”,-thotë mjeku. 

Përballë tij kanë kaluar ndër vite mijëra pacientë dhe histori të ndryshme. Për doktor Gushon, çdo pacient mbart një shqetësim të veçantë dhe çdo vizitë kërkon të njëjtin përkushtim. Ai kujton një këshillë të një mjeku të vjetër, e cila ka mbetur një nga parimet e tij gjatë gjithë karrierës.

“Jo, të tëra i mbaj mend, po vetëm se nuk ka një rast, janë të tëra raste të vështira. Çdo njeri që paraqitet, gjithmonë është i vështirë për mjekun. Ai që vjen, një doktor i vjetër nga këtë që kishim, thoshte: ‘Kushdo që të trokasë në derë, ka një hall. Është matur 100 herë pa ka trokitur një herë në derë.’ Edhe unë e mbaj mend, janë të tëra të vështira”,-tregon ai. 

Dhe pikërisht humanizmi, përtej dijes profesionale, është një nga mesazhet që doktor Gusho përcjell edhe sot për brezat e rinj të mjekëve dhe punonjësve të shëndetësisë. Në dekada pune ai ka parë ndryshimet e mëdha të mjekësisë, por për të një parim mbetet i pandryshuar: në qendër të mjekimit duhet të jetë njeriu.

“Po, kam një mesazh vërtet, sepse kur kemi studiuar për mjekësi, kemi dëgjuar për babanë e mjekësisë, është nga shkencat e vjetra, po nuk është shkencë ekzakte, është shkencë jo ekzakte. Dhe ky babai i mjekësisë prej 3000 vjet përpara, që është Hipokrati, ka thënë për mjekët edhe për njerëzit e mjekësisë: ‘Mos mjekoni sëmundjen, mjekoni të sëmurin.’ I sëmuri është i sëmurë, sëmundja mund të jetë një, po të sëmurët për shembull me diabet janë me mijëra dhe me miliona. Të sëmurët me gjendrën tiroide ose secili ka të tijën. Pra, mjeko të sëmurin dhe jo sëmundjen”,-tha Gusho. 

Në 82-vjetorin e lindjes, ky është portreti i doktor Ëngjëll Gushos: një mjek që e nisi rrugëtimin e tij në moshën 14-vjeçare, që punoi në Korçë, Sheqeras e Maliq, u specializua në endokrinologji dhe për dekada i shërbeu pacientëve me diabet, sëmundje të tiroides dhe çrregullime të metabolizmit.

Një karrierë afro 60-vjeçare, që për të nuk është mbyllur me pensionin. Sepse, siç thotë vetë doktori Gusho, mjeku mbetet gjithmonë mjek. Në këtë përvjetor, urimi shkon për një prej emrave të njohur të mjekësisë korçare, për përvojën, përkushtimin dhe kontributin e tij ndër vite, por edhe për mesazhin që përcjell te brezat e rinj: të mos mjekojnë vetëm sëmundjen, por mbi të gjitha të sëmurin./CNA 





Lajmet e fundit nga