Menjëherë pas incidentit të rëndë në bankën Raiffeisen, që preku llogaritë e mijëra qytetarëve, Banka e Shqipërisë, ka zbarkuar për kontroll. Inspektorët e BSH, janë aktualisht prezentë në Raiffeisen duke investiguar me detaje, mbi atë që ka ndodhur.
Dyshimet e para janë për ndërhyrje, e cila ka ardhur për shkak të gabimit njerëzor, ndërkohë që nuk është përcaktuar ende nëse ndërhyrja ka qenë nga jashtë apo e brendshme.
Të lidhura
None found
Sipas burimeve, ajo që ka ndodhur ka qenë një anomali në hedhjen e batch-it ditor të së dielës. Ky është një proces automatik që ekzekutohet gjatë natës për të përpunuar dhe përditësuar të gjitha transaksionet e grumbulluara gjatë ditës.
Praktikisht incidenti ka prekur të gjitha transaksionet që qytetarët kanë bërë gjatë ditës së dielë, të cilat janë regjistruar nga dy herë në sistem.
Kjo do të thotë se ata që kishin tërhequr, u merreshin paratë dy herë. Të tjerë që kishin paguar me kartë, po ashtu. Një burim i tha Kapitalit se bëhet fjalë për mbi 40 mijë transaksione të prekura.
Situata u rikthye në normalitet dhe anomalitë u korrigjuan një ditë më vonë, por incidenti shkaktoi jo pak shqetësime tek qytetarët.
Ndonëse Raiffeisen u përpoq ta minimizonte ngjarjen përmes një noftimi me gjuhë të drunjtë dhe me një PR agresiv pa sqaruar se cili ishte shkaku, burime i thanë Kapitalit se banka rrezikon penalitete, ashpërsia e të cilave do të varet nga përfundimi i investigimeve. Por nuk përjashtohet që ngjarja mund të haje koka në nivele drejtuese tek Raiffeisen.
Një javë përpara incidentit, Raiffeisen njoftoi kalimin e plotë në cloud, duke u bërë banka e parë në Shqipëri që realizon këtë transformim.
““Më 17 shtator 2026, shënuam një moment historik për Raiffeisen Bank Shqipëri. Për 22 vite, infrastruktura jonë teknologjike ka mbështetur funksionimin e bankës 24 orë në ditë, çdo ditë të javës, përfshirë netët dhe festat zyrtare. Sot, kemi përfunduar kalimin e aplikacioneve tona në cloud. Nuk bëhet fjalë për një kalim të pjesshëm apo një model hibrid, por për një transformim të plotë. Kemi kaluar 100% në cloud, duke realizuar diçka që asnjë bankë tjetër në Shqipëri nuk e ka arritur më parë”, deklaroi Erion Serti, Anëtar i Bordit Drejtues dhe drejtor i IT-së i Raiffeisen Bank Shqipëri./ Kapitali.al
