Nga akuzat për vrasje te pjesë e grupit të Laert Haxhisë, Kristi Bixheku del nga burgu, si “iu zbritën” vitet e dënimit

Aktualitet

Nga akuzat për vrasje te pjesë e grupit të Laert Haxhisë,

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga paraburgimi të Kristi Bixhekut. Përmes një njoftimi, Apeli i GJKKO-së bën të ditur se Bixheku e ka përfunduar dënimin e caktuar nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme.

Për të pandehurin Kristi Bixheku, togat e zeza dhanë një dënim fillestar prej 3 vitesh e 6 muajsh burg, i cili me aplikimin e gjykimit të shkurtuar zbret përfundimisht në 2 vite e 4 muaj burg.

Një ditë në paraburgim për Bixhekun është përllogaritur si një ditë e gjysmë burg dhe në 24 shtator dënimi prej 28 muajsh i caktuar ndaj tij, sipas Apelit të GJKKO-së ishte përfunduar.

Kristi Bixheku është një nga 2 të penduarit e drejtësisë, së bashku me Artan Tafanin, të cilët kanë qenë pjesë e grupit të Laert Haxhiut.

 Pas ekstradimit nga Holanda, i dyshuari Kristi Bixheku doli për herë të pare në 17 mars 2025 para Prokurorisë së Posaçme për t’u njohur me masën e sigurisë ‘arrest në burg’.

SPAK kishte zbuluar prova që e çojnë 30-vjeçarin në konsumimin e veprave penale të “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “sigurimi i kushteve materiale për të kryer vrasje”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

30-vjeçari i cili sipas SPAK është pjesë e grupit të Laert Haxhiut, akuzohet se ka siguruar lëndën shpërthyese që është vendosur në shtëpinë e Bujar Turkut, në datë 31 dhjetor të vitit 2022.

Po ashtu ai akuzohej edhe për sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje ndaj Genci Hida. Kristi Bixheku, rezulton i ndaluar në 2021 si autor i dyshuar i vrasjes së Fridman Xhaferajt në Korçë, por që më pas u lirua pasi nuk u provua përfshirja e tij.

SPAK arriti të zbulojë skuadrën e Laert Haxhisë, ku u zbardhën 6 vrasje, 5 raste të shkatërrimit të pronës me eksploziv, 3 raste të vjedhjes me dhunë, 3 raste të sigurimit të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjeve, 1 rast i kanosjes së punonjësve të policisë, ngjarje këto të ndodhura në disa qytete të vendit, si edhe zbardhen e 2 vrasjeve të kryera në Greqi.

ME TE LEXUARAT