AKTUALITET /

“Konflikt i qëllimshëm për të na lënë në qeli”, Ilir Meta reagon ndaj GJKKO dhe konfliktit me avokatët

Sipas Metës, përplasja mes institucioneve ka sjellë shtyrjen e dhjetëra proceseve, duke ndikuar në vijimin e gjykimeve dhe në të drejtat e palëve.

Shkruar nga Versus

“Konflikt i qëllimshëm për të na lënë

Kreu i PL, Ilir Meta, ka reaguar sërish për përplasjen mes GJKKO-së dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, e cila ka sjellë bojkotin e avokatëve dhe shtyrjen e seancave gjyqësore.

Përmes një reagimi, Meta e cilëson situatën si një ngërç institucional që, sipas tij, mund të ishte shmangur. Ai argumenton se Rregullorja e GJKKO-së është miratuar më 17 korrik 2026, është bërë publike më 31 korrik dhe ka hyrë në fuqi më 1 shtator.

Sipas Metës, përplasja mes institucioneve ka sjellë shtyrjen e dhjetëra proceseve, duke ndikuar në vijimin e gjykimeve dhe në të drejtat e palëve.

“Dhjetëra gjyqe të shtyra, të cilat shoqërohen me zvarritjet e gjykimeve, cënimin e proceseve të rregullta ligjore, cënim i të drejtave ekonomike të avokatëve, por edhe të vetë shtetit”, shkruan Meta.

Ai kritikon Kuvendin dhe Qeverinë për mosndërhyrjen në këtë situatë, duke kërkuar që Kuvendi të nxisë dialogun mes palëve dhe të ndërhyjë në ligjin për Avokatinë.

Meta e lidh situatën edhe me çështjen e tij gjyqësore. Ai deklaron se ka marrë pjesë në çdo seancë dhe se ka shprehur vullnetin për vijimin e gjykimit ndaj tij, pavarësisht bojkotit të avokatëve.

Sipas tij, Prokurori ka kërkuar pezullimin e afateve të paraburgimit, por nuk ka kërkuar caktimin e një avokati kryesisht.

“Çuditërisht Prokurori kërkoi pezullimin e afateve të paraburgimit tim, por nuk kërkoi të caktohej avokat kryesisht. Edhe Gjykata çuditërisht pranon kërkesën absurde të Prokurorit, pezullon afatet e paraburgimit, por nuk cakton avokat kryesisht”, shprehet Meta.

Në përfundim, kreu i Partisë së Lirisë e cilëson situatën si një problem që, sipas tij, dëmton besimin publik te drejtësia.

“Kjo nuk ka lidhje me Reformën në Drejtësi të miratuar më 21 korrik 2016, por me tjetërsimin e saj në Ramaformë”, përfundon Meta./Versus.al

Poll