Bota

Qeveria shtrëngon masat, mbyllen mbi 13 mijë faqe bastesh në Brazil

Brazili ka vijuar fushatën kundër basteve online, duke mbyllur 13.241 faqe interneti pas hyrjes në fuqi, më 25 shtator, të masave të reja të mbështetura nga presidenti Luiz Inacio Lula da Silva.

Legjislacioni i ri ndalon në territorin brazilian menaxhimin, ofrimin, ndërmjetësimin dhe reklamimin e platformave të basteve, duke përfshirë si bastet sportive, ashtu edhe lojërat virtuale të fatit.

Ministri brazilian i Financave, Dario Durigan, i ka cilësuar rezultatet e para të masës si një “ndryshim të rëndësishëm” për ekonominë e vendit. Sipas tij, më herët ishte konstatuar se çdo ditë nga llogaritë e qytetarëve largoheshin rreth 600 deri në 650 milionë realë brazilianë, ekuivalente me afërsisht 100–120 milionë euro, për t’u shpenzuar në lojërat e fatit.

Sipas ministrit, pas bllokimit të platformave të paligjshme, kjo shumë synohet të mbetet në ekonomitë familjare.

Presidenti Lula e ka krahasuar varësinë nga lojërat e fatit me një sëmundje të rëndë, duke argumentuar se duhet ndërhyrë për të parandaluar pasoja të rënda financiare për familjet.

Masat e reja u kërkojnë kompanive të sektorit të mbyllin përfundimisht platformat e paautorizuara dhe ndalojnë depozitat e reja në llogaritë e lojërave të fatit.

Paralelisht, qeveria braziliane po përshpejton punën për një projektligj që synon të përcaktojë vepra të posaçme penale për luftimin e aktiviteteve të paligjshme dhe flukseve financiare të padeklaruara që lidhen me bastet online.