Aleanca kundër Huthëve, Turqia i ofron mbështetje ushtarake Arabisë Saudite

7 Tetor 2026 | 16:33

Turqia po i ofron Arabisë Saudite kryesisht mbështetje mbrojtëse dhe teknike për ta ndihmuar të përballet me Huthët e Jemenit, thanë dy zyrtarë.

Turqia, Arabia Saudite dhe Pakistani nënshkruan në gusht “Paktin e Mbrojtjes së Ndërsjellë të Mekës”, disa javë para se Huthët të nisnin sulmet ndaj Arabisë Saudite, në kuadër të përshkallëzimit më të gjerë të konfliktit me Iranin.

Pak marrëveshja përfshin një klauzolë të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, sipas së cilës një sulm ndaj njërit prej aleatëve konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.

Tre vendet po punojnë për përcaktimin e parametrave të aleancës së re dhe kanë zhvilluar takime politike dhe ushtarake në përgjigje të sulmeve të Huthëve. Të hënën, vendet njoftuan se kishin rënë dakord të avanconin menjëherë me angazhimet e tyre për mbrojtjen kolektive dhe të siguronin “vendosjen e shpejtë” të forcave dhe kapaciteteve ushtarake në Arabinë Saudite.

Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe në NATO dhe një industri të zhvilluar të mbrojtjes, ka dënuar sulmet e Huthëve ndaj Arabisë Saudite. Ankaraja ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të përmbushur nevojat teknike ushtarake të Riadit dhe ka rënë dakord t’i bashkohet një koalicioni të udhëhequr nga Arabia Saudite për të garantuar sigurinë e lundrimit në Detin e Kuq.

Një zyrtar turk, duke folur në kushte anonimiteti, tha se mbështetja e pritshme nga Turqia lidhet me pajisjet ushtarake, ndarjen e informacionit dhe sistemet e armëve. Sipas tij, deri tani nuk ka pasur forma të tjera të vendosjes së forcave në kuadër të aleancës.

Zyrtarët thanë se mbështetja turke për Arabinë Saudite, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore, do të ofrohet kryesisht në mënyrë dypalëshe për momentin, pasi parlamenti turk ende nuk e ka ratifikuar zyrtarisht Traktatin e Mbrojtjes së Përbashkët. Sipas tyre, fusha dhe natyra e kësaj mbështetjeje pritet të zgjerohen pas ratifikimit.

Një zyrtar amerikan, i njohur me çështjen, tha se Ankaraja deri tani ka vendosur të dërgojë asete dhe kapacitete thjesht mbrojtëse, duke përfshirë mbështetje për planifikimin strategjik dhe atë logjistik.

Sipas zyrtarit amerikan, ndihma përfshin operatorë dronësh, asistencë për optimizimin e masave mbrojtëse, si dhe mbështetje në fushën e inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, pas një takimi urgjent të aleancës në Riad, tha për mediat shtetërore se palët diskutuan llojin e mbështetjes që do t’i ofrohej Arabisë Saudite për forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.

“Ne kishim me vete Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura, dhe ata paraqitën pikëpamje veçanërisht të frytshme mbi çështjet ushtarake dhe operacionale, si dhe çështjet teknike”, tha Fidan të hënën.

Zyrtarë pakistanezë dhe rajonalë kanë thënë se Ankaraja dhe Islamabadi e kanë furnizuar Arabinë Saudite me pajisje ushtarake që mbretëria po i përdor në Jemen.

Këtë javë, forcat qeveritare të Jemenit, të mbështetura nga sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, nisën një kundërsulm për të rimarrë territorin strategjik pranë ngushticës së Bab el-Mandabit.

Zyrtarë i thanë Reuters javën e kaluar se Arabia Saudite po planifikonte një ofensivë kundër Huthëve, duke shqyrtuar mundësi të tilla si një përparim bregdetar për të siguruar anijet në Detin e Kuq ose një ofensivë në disa fronte.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Erdogan telefonon Putinin për 74-vjetorin e lindjes, në fokus lufta në Ukrainë dhe Deti i Zi

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, zhvilloi sot një bisedë telefonike me Presidentin rus, Vladimir Putin, me rastin e 74-vjetorit të lindjes së liderit rus. Sipas...
16:28 | 07/10/2026

Sulm i ri me thikë në një shkollë në Stamboll, 16-vjeçari plagos dy shokë klase

Një incident i ri serioz dhune ndodhi brenda 24 orëve në një shkollë të mesme në lagjen Esenyurt të Stambollit, kur një sherr midis nxënësve...
15:54 | 07/10/2026

NASA: Rusia dhe Kina mund t’i bashkohen Marrëveshjeve Artemis nëse përputhen me parimet

Rusia dhe Kina mund t’i bashkohen një ditë Marrëveshjes Artemis të udhëhequr nga SHBA-të për eksplorimin e hapësirës nëse ndajnë parimet e saj, por sot...
14:44 | 07/10/2026