
Autoritetet shëndetësore amerikane kanë deklaruar se po monitorojnë nga afër raportimet për një shpërthim të dyshuar të murtajës në Rusi, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar informacion të përditësuar lidhur me raportimet për një viktimë të dytë.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA kanë konfirmuar se janë në dijeni të situatës dhe po ndjekin zhvillimet, pas raportimit për vdekjen e Daria Shipilova, një punonjëse laboratori në Rusi.
Sipas raportimeve, Shipilova dyshohet se kishte thyer aksidentalisht një epruvetë që përmbante një mostër të bakterit të murtajës në Institutin Kundër Murtajës në Irkutsk.
“Ne po punojmë në të gjithë qeverinë amerikane për të vlerësuar zhvillimet ndërsa informacione shtesë bëhen të disponueshme”, deklaroi CDC.
Megjithatë, autoritetet amerikane theksojnë se rrethanat e rastit mbeten të pakonfirmuara. CDC nënvizon se murtaja është një sëmundje serioze bakteriale, por mund të trajtohet me antibiotikë, veçanërisht nëse diagnostikohet dhe trajtohet në fazat e hershme.
Shqetësimi lidhet veçanërisht me murtajën pneumonike, e cila mund të transmetohet nga personi në person përmes pikave të frymëmarrjes gjatë kontaktit të ngushtë. Për këtë arsye, identifikimi dhe trajtimi i shpejtë i rasteve, si dhe monitorimi i personave që mund të jenë ekspozuar, konsiderohen masa të rëndësishme të shëndetit publik.
Ndërkohë, raportimet për një viktimë të dytë janë mohuar nga Moska. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, si dhe mediat shtetërore ruse kanë deklaruar se informacionet për një tjetër vdekje nuk janë të vërteta dhe i kanë cilësuar raportimet e mediave perëndimore si “lajme të rreme”.
Rregullatori shëndetësor i Rusisë tha të mërkurën se nuk kishte rreziqe për shpërthimin e një epidemie në Siberi, pasi një punonjëse e institutit të murtajës atje vdiq, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë i bëri presion Moskës për më shumë informacion në lidhje me shkakun e vdekjes së saj.
Autoritetet ruse thonë se punëtori 28-vjeçar i laboratorit vdiq të premten nga pneumonia me origjinë ende të pacaktuar, në një rast që ka ngjallur shqetësim ndërkombëtar , përfshirë edhe nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump. Rreth 200 persona u vendosën fillimisht në karantinë./Versus.al

