
Biznesmeni Valon Lluka është arrestuar sot në Kosovë me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, e cila e ka ndaluar për 48 orë nën dyshimin për disa vepra penale.
Lluka, i cili ka qenë administrator i shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport” dhe për vite me radhë një prej bashkëpunëtorëve të afërt të Behgjet Pacollit, dyshohet për mashtrim, shpërdorim të pasurisë së huaj, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe lidhje të kontratës së dëmshme.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Kosovës, Kaltrina Shala, konfirmoi ndalimin e tij.
“Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar një person me inicialet V.Ll., në kohëzgjatje prej 48 orësh”, deklaroi Shala, duke shtuar se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Prokuroria ka bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa brenda afatit ligjor do të shqyrtohet edhe caktimi i ndonjë mase sigurie ndaj tij.
Arrestimi i Llukës vjen pas një përplasjeje të bërë publike me kompaninë e Behgjet Pacollit, “Mabco Construction”. Në vitin 2025, Lluka u shkarkua nga detyra e administratorit të aeroportit të Vlorës.
Në atë kohë, Lluka deklaroi se kishte refuzuar të firmoste një dokument që, sipas tij, do ta bënte shoqërinë koncesionare garantuese për një kredi prej 100 milionë eurosh.
Nga ana tjetër, Behgjet Pacolli e kishte akuzuar publikisht ish-bashkëpunëtorin e tij për keqpërdorim të detyrës dhe përvetësim fondesh. Lluka i kishte mohuar këto akuza.
Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa çdo përgjegjësi penale e Llukës mbetet për t’u përcaktuar nga organet e drejtësisë./Versus.al

