
Zbardhen të tjera detaje nga dosja hetimore për arrestimin e ish-zyrtarit të Policisë, Ulian Shpataraku, dhe Ergys Agasit, të cilët u ndaluan teksa udhëtonin me një automjet tip “Audi A6”, me targa AB 323 JK.
Në dosjen hetimore është përfshirë edhe dëshmia e Kadri G., tregtar automjetesh nga Shijaku, i cili rezulton të jetë pronari zyrtar i makinës së bllokuar tashmë nga policia.
Para hetuesve, tregtari ka deklaruar se automjetin e kishte blerë në Vlorë dhe më pas e kishte nxjerrë në shitje, duke vendosur në të tabelën “Shitet”.
Sipas dëshmisë së tij, më 24 gusht 2026, rreth orës 15:00, një person ishte interesuar për blerjen e automjetit. Kadri G. ka deklaruar se e njihte vetëm si fytyrë nga televizori dhe se ai i kishte kërkuar makinën për ta provuar dhe për ta dërguar në një servis për kontroll.
“E njihja si fytyrë nga televizori. Ai ma kërkoi mjetin për ta provuar dhe për ta çuar në një servis që ta kontrollonte, me qëllim që më pas të bënim veprimet noteriale dhe pagesën prej 15.000 eurosh”, ka deklaruar tregtari.
Ai ka mohuar të ketë pasur ndonjë njohje apo lidhje me Shpatarakun dhe Agasin, duke theksuar se nuk i njeh personalisht.
Tregtari ka treguar gjithashtu se përfshirjen e automjetit të tij në çështjen hetimore e ka mësuar vetëm pasi ka parë lajmet për arrestimin e dy personave.
“Më pas pashë në lajme se ky person ishte arrestuar dhe se ndodhej pikërisht në bordin e mjetit tim Audi AB 323 JK, që tashmë është bllokuar nga policia. Unë nuk e njoh as z. Shpataraku dhe as z. Agasi”, ka dëshmuar ai.
Sipas tij, edhe heqja e tabelës “Shitet” nga automjeti mund të jetë bërë nga personi që e kishte marrë makinën për provë.
Dëshmia e tregtarit është pjesë e materialeve të mbledhura nga organet hetimore, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat dhe lëvizjet e automjetit, si dhe lidhjet mes personave që ndodheshin në të./Versus.al

