Një kontroll blic është zhvilluar në orët e fundit në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, përfshirë edhe regjimin 41-bis, ku forcat operacionale kanë kontrolluar qelitë në kuadër të masave për eliminimin e sendeve të ndaluara dhe atyre që konsiderohen të tepërta.
Aksioni është ndërmarrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ka intensifikuar kontrollet në institucionet penitenciare për të larguar jo vetëm sendet që përbëjnë shkelje ligjore, por edhe ato që sipas rregullores konsiderohen të panevojshme apo të lidhura me një formë luksi për të burgosurit dhe të paraburgosurit.
Pas disa orësh kontroll, nga qelitë në Peqin janë hequr karrige plastike dhe prej druri, disa lloje tenxheresh, materiali i të cilave mund të përdoret për prodhimin e mjeteve të mprehta, si dhe biçakë të përdorur për qërimin e frutave dhe perimeve.
Gjithashtu, janë sekuestruar mjete prerëse të improvizuara, përfshirë ato të prodhuara nga pjesë të fshesave, si dhe materiale të tjera që konsiderohen të papërshtatshme për t’u mbajtur në qeli.
Kontrollet janë pjesë e një plani të nisur që prej muajit prill nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila ka intensifikuar aksionet për zbulimin e telefonave celularë, lëndëve narkotike dhe sendeve të tjera të ndaluara në institucionet penitenciare.
Në bazë të këtij plani, synohet që në qeli të lejohen vetëm sendet personale dhe ato që nevojiten për përdorim e konsum individual, duke kufizuar mbajtjen e objekteve që mund të shndërrohen në mjete të rrezikshme.
Më herët, në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, por edhe në institucione të tjera, përfshirë burgjet e Durrësit dhe Drenovës, janë zbuluar aparate telefonike. Pajisjet janë dërguar për ekspertim në laboratorët e SPAK.
Telefonat janë gjetur kryesisht në ambiente të përbashkëta, ndërsa paralelisht vijojnë hetimet për të identifikuar personat konkretë që dyshohet se kanë mundësuar futjen e sendeve të ndaluara në ambientet e burgjeve.


