Kërkimi ligjor, shkrimi dhe arsyetimi juridik kanë qenë në fokus të një trajnimi dyditor të zhvilluar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës. Në trajnim morën pjesë rreth 25 këshilltarë ligjorë, ndihmës ligjorë dhe sekretarë gjyqësorë nga disa prej institucioneve kryesore të drejtësisë në vend.
Trajnimi u zhvillua më 6 dhe 7 tetor dhe synoi forcimin e aftësive profesionale të pjesëmarrësve për kërkimin dhe analizën e thelluar ligjore, si dhe për hartimin e dokumenteve të qarta, koherente dhe të argumentuara.
Sipas njoftimit pjesëmarrësit trajtuan parimet kryesore të kërkimit dhe arsyetimit ligjor, si dhe praktikat bashkëkohore për hartimin e dokumenteve juridike. Vëmendje iu kushtua edhe përdorimit të terminologjisë së saktë ligjore dhe një stili të qartë e profesional të të shkruarit.
“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës, organizoi një trajnim të specializuar dyditor për profesionistët e drejtësisë, me fokus kërkimin ligjor, shkrimin dhe arsyetimin ligjor, më 6-7 tetor 2026.
Në trajnim morën pjesë rreth 25 këshilltarë ligjorë, ndihmës ligjorë dhe sekretarë gjyqësorë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Gjykata e Posaçme e Apelit, Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjykata Administrative dhe Gjykata Administrative e Apelit.
Trajnimi synoi forcimin e aftësive profesionale të pjesëmarrësve për kryerjen e kërkimit dhe analizës së thelluar ligjore, si edhe për hartimin e dokumenteve ligjore të qarta, koherente dhe të argumentuara mirë. Këto aftësi kontribuojnë në cilësinë, transparencën dhe efektivitetin e punës në sistemin gjyqësor.
Pjesëmarrësit trajtuan parimet kryesore të kërkimit dhe arsyetimit ligjor, si dhe qasje bashkëkohore për hartimin e dokumenteve ligjore, duke përfshirë përdorimin e terminologjisë së saktë ligjore dhe të një stili të qartë e profesional të të shkruarit.
Sesionet ndërvepruese, ushtrimet praktike dhe diskutimet në grup nxitën të nxënit aktiv dhe shkëmbimin e përvojave mes kolegëve. Katër ekspertë të nivelit të lartë, dy vendas dhe dy ndërkombëtarë, udhëhoqën studime rastesh dhe diskutime të bazuara në shembuj konkretë, me rëndësi për punën e përditshme të pjesëmarrësve.
Kjo qasje u mundësoi pjesëmarrësve të zbatonin konceptet dhe teknikat e trajtuara gjatë trajnimit në detyra konkrete ligjore.
Trajnimi është pjesë e mbështetjes së vijueshme të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për përpjekjet e vendit në kuadër të reformës në drejtësi, me fokus forcimin e kapaciteteve profesionale dhe kontributin në rritjen e integritetit, efikasitetit dhe transparencës në institucionet gjyqësore”, shkruhej në njoftimin e OSBE.
