Rubio në Athinë paralajmëron Iranin se nuk do të ketë kurrë armë bërthamore

Rubio në Athinë paralajmëron Iranin se nuk do të ketë kurrë armë bërthamore

15:59, 07/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se Irani nuk do të lejohet kurrë të sigurojë një armë bërthamore, duke deklaruar se parandalimi i kësaj është një vijë e kuqe për presidentin Donald Trump.

“Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore! Pikë!”, tha Rubio më 7 tetor në Athinë, ku zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, gjatë Dialogut të gjashtë Strategjik SHBA-Greqi.

I pyetur nëse Uashingtoni ishte i gatshëm të pranonte një nivel të caktuar të pasurimit të uraniumit nga Irani, Rubio nuk pranoi të specifikonte se cili nivel pasurimi mund të ishte i pranueshëm. Në vend të kësaj, ai tha se çdo marrëveshje duhet të garantojë që Irani “nuk do të ketë kurrë një armë bërthamore”.

“Ky është qëndrimi ynë. Kjo është arsyeja pse filloi e gjithë kjo”, tha Rubio.

Ai akuzoi gjithashtu Teheranin se po përpiqej të ndërtonte një arsenal aq të madh konvencional, saqë në të ardhmen do të ishte e vështirë për Shtetet e Bashkuara ose aleatët e saj të vepronin kundër programit bërthamor të Iranit.

“Ajo që Irani po përpiqej të bënte ishte të ndërtonte një kapacitet konvencional aq masiv, saqë do të bëhej i paprekshëm”, tha Rubio.

Ai tha se veprimet ushtarake amerikane e kanë dobësuar ndjeshëm Iranin, përfshirë duke shkatërruar ose dëmtuar rëndë një pjesë të madhe të kapaciteteve të tij me dronë dhe raketa, si dhe flotën detare dhe forcat ajrore.

“Ata janë sot shumë më pak të fuqishëm ushtarakisht se sa ishin”, tha Rubio.

Kapacitetet ushtarake të Iranit janë dëmtuar ndjeshëm gjatë konfliktit, megjithëse Teherani ruan rezerva raketash e dronësh. Gjendja aktuale e programit të tij bërthamor mbetet e vështirë për t’u vlerësuar, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike ka cituar qasjen e kufizuar të monitoruesve ndërkombëtarë.

Irani përballet me “rënie të lirë”

Rubio e përshkroi gjithashtu Iranin si një vend që po përballet me një krizë të thelluar ekonomike, duke thënë se ekonomia e tij po shkonte drejt “rënies së plotë të lirë”.

Ai iu referua rihapjes së Ngushticës së Hormuzit dhe vazhdimit të qarkullimit të naftës përmes kësaj rruge strategjike, duke thënë se Teherani kishte humbur kontrollin mbi këtë rrugë ujore jetike.

Ndërsa dërgesat e naftës kanë rifilluar, trafiku nëpër ngushticë mbetet i ndërprerë dhe Irani ka vazhduar të këmbëngulë se rihapja e plotë e saj varet nga përmbushja nga Uashingtoni e kushteve të vendosura nga Teherani.

Rubio fajësoi udhëheqjen iraniane për problemet ekonomike të vendit, duke akuzuar qeverinë se po i shpenzon burimet e saj për Hezbollahun, Hamasin, milicitë irakiane dhe Houthit, në vend që të përmirësojë kushtet e jetesës brenda vendit.

“Ata duhej t’i kishin shpenzuar paratë për popullin e tyre, por në vend të kësaj i shpenzojnë paratë për terrorizëm, për armë”, tha ai.

Rubio tha se Teherani kishte pasur më parë mundësi të shumta për të arritur marrëveshje mbi programin e tij bërthamor, por nuk kishte arritur ta bënte këtë.

Greqia, aleate kyç

Rubio e përshkroi Greqinë si një aleate kritike të SHBA-së në një kohë të rritjes së paqëndrueshmërisë në Evropë dhe Lindjen e Mesme, duke përmendur konfliktet që përfshijnë Iranin, Rusinë dhe Ukrainën, si dhe Detin e Kuq.

Ai e quajti Greqinë “një burim stabiliteti në një botë të paqëndrueshme”, dhe vlerësoi Athinën për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.

Greqia është në rrugën për të përmbushur këtë vit angazhimin për të shpenzuar 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, tha Rubio, me më shumë se 3.5 për qind që do të shkojë për shpenzimet bazë të mbrojtjes.

Ai njoftoi gjithashtu se Greqia do t’i bashkohet Programit të Partneritetit Shtetëror të Gardës Kombëtare të SHBA-së dhe do të lidhet me Gardën Kombëtare të Floridës, duke zgjeruar më tej bashkëpunimin ushtarak.

Dy vendet ranë dakord gjithashtu të forcojnë bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit dhe shkëmbimin e informacionit mes agjencive të zbatimit të ligjit.

Rubio përmendi pozitën e Greqisë në rrugët kryesore të migrimit dhe trafikimit si një faktor që e ekspozon veçanërisht vendin ndaj terrorizmit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimit ndërkombëtar.

Uashingtoni dhe Athina planifikojnë gjithashtu të zgjerojnë bashkëpunimin për eksportet amerikane të gazit natyror të lëngshëm, ndërlidhjet e energjisë elektrike dhe gazit, teknologjitë në zhvillim dhe sigurinë rajonale të energjisë.

Vendet po bashkëpunojnë gjithashtu për të luftuar trafikimin drejt Shteteve të Bashkuara të antikiteteve greke dhe antikiteteve të tjera mesdhetare.

Rubio do të shpalosë argumentet për Perëndimin

Rubio pritet të mbajë më vonë, më 7 tetor, një fjalim në Pniks të Athinës, me pamje nga Akropoli, ku pritet të paraqesë një argument më të gjerë mbi demokracinë, identitetin kombëtar dhe të ardhmen e Perëndimit.

Sipas pjesëve të fjalimit të përgatitur, të publikuara nga Departamenti i Shtetit përpara fjalimit, Rubio do të bëjë thirrje për atë që ai e përshkruan si një “rilindje të madhe të shpirtit perëndimor”.

Ai pritet të argumentojë se Athina e lashtë mishëronte cilësi që më vonë erdhën për të përcaktuar Perëndimin, përfshirë ambicien individuale, eksplorimin, shpikjen, konkurrencën dhe dëshirën për të kapërcyer kufijtë.

“Këtu në Athinë, gjetëm mishërimin e parë të plotë të të gjitha tipareve thelbësore që do të përcaktonin Perëndimin”, do të thotë Rubio, sipas pjesëve të publikuara.

Ai do ta vërë në kontrast kërkimin e përsosmërisë nga grekët e lashtë me atë që e përshkruan si një theks modern te siguria dhe rehatia, në kurriz të ambicies dhe arritjeve.

“Dekada e ardhshme”

Rubio pritet gjithashtu ta paraqesë Perëndimin si të gjendur në një udhëkryq historik.

“Dekada e ardhshme do të shkruajë historinë e shekullit të ardhshëm", do të thotë ai, sipas fjalimit të përgatitur.

Ai pritet të argumentojë se Shtetet e Bashkuara nën Trumpin kanë zgjedhur “ndjekjen e hapur të fuqisë kombëtare”, përfshirë rindërtimin e prodhimit amerikan, forcimin e mbrojtjes, sigurimin e zinxhirëve kritikë të furnizimit dhe konkurrimin për udhëheqje në teknologjitë në zhvillim.

Rubio pritet të theksojë gjithashtu prodhimin e avancuar, inteligjencën artificiale, dronët, armët, gjysmëpërçuesit, mineralet kritike, sigurinë kibernetike, energjinë dhe eksplorimin hapësinor.

Në fjalimin e tij do të sfidohet gjithashtu ideja se politika e jashtme duhet t’i vendosë interesat e një “komuniteti global” mbi interesat e qytetarëve të një vendi.

Rubio pritet të argumentojë se besnikëria ndaj kombit dhe mbrojtja e interesave të tij nuk janë egoiste, duke iu referuar shembujve të lashtë grekë të detyrës, sakrificës dhe nderit.

Sipas pjesëve të publikuara, ai do të bëjë gjithashtu një dallim të fortë me udhëheqjen klerikale të Iranit, duke akuzuar “mullahët radikalë” të vendit se glorifikojnë vdekjen dhe martirizimin.

“Heronjtë tanë mund të jenë të gatshëm të vdesin për kauzën e tyre; por ata nuk e adhurojnë vdekjen”, do të thotë Rubio.

Fjalimi pritet ta paraqesë përballjen me Iranin si pjesë të një përplasjeje më të gjerë mbi vlerat dhe drejtimin e ardhshëm të Perëndimit, duke e çuar mesazhin e Rubios në Athinë përtej sigurisë dhe diplomacisë, drejt një mbrojtjeje më të gjerë të fuqisë kombëtare, identitetit perëndimor dhe traditave demokratike./ REL/ 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco