Franca ka pezulluar përdorimin e granatave tymuese nga policia gjatë protestave të nxënësve të shkollave të mesme, pas plagosjes së rëndë të një 15-vjeçari, i cili humbi dorën gjatë një përplasjeje me forcat e rendit.
Ministri i Brendshëm francez, Laurent Nunez, e njoftoi vendimin të mërkurën në mëngjes, duke deklaruar se përdorimi i këtyre mjeteve do të pezullohet deri në sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
“Po pezulloj përdorimin e tyre në protestat e nxënësve të shkollave të mesme derisa të sqarohen faktet e incidentit”, tha Nunez për radion RTL. Ai sqaroi se masa vlen vetëm për protestat e nxënësve dhe do të qëndrojë në fuqi për aq kohë sa nevojitet për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur.
Adoleshenti u plagos të hënën, pasi policia përdori një granatë tymuese gjatë protestës. Rasti është pjesë e një serie incidentesh të hetuara nga autoritetet franceze gjatë javëve të fundit.
Sipas ministrit Nunez, që nga fillimi i protestave janë hapur 18 hetime të brendshme për shkelje të dyshuara të detyrës nga efektivët e policisë. Një oficer është vënë nën akuzë të martën, pasi një 14-vjeçar në veriperëndim të Parisit u godit në fytyrë nga një granatë me gaz lotsjellës javën e kaluar. Goditja, sipas raportimeve, ndodhi nga një distancë shumë e afërt dhe i mituri humbi disa dhëmbë.
Protestat kanë nisur në fund të shtatorit, kur nxënësit filluan të bllokonin shkollat e mesme në shenjë kundërshtimi ndaj kushteve të këqija të godinave dhe mungesës së mësuesve. Që prej atëherë, më shumë se 6,500 persona, shumica e tyre të mitur, janë arrestuar, ndërsa qindra nxënës, efektivë policie dhe pjesëtarë të stafit arsimor janë plagosur.
Vetëm gjatë protestave të së martës, rreth 250 mijë persona dolën në rrugë në qytete të ndryshme të Francës, sipas Ministrisë së Brendshme. Autoritetet raportuan të paktën 488 arrestime dhe 43 pjesëtarë të forcave të sigurisë të plagosur.
Avokatët e nxënësve të ndaluar kanë ngritur gjithashtu akuza për përdorim të dhunës dhe fyerje gjatë arrestimeve. Prisca Ancion, nga Kolektivi për Veprim Gjyqësor, deklaroi për AFP se nxënësit e arrestuar kanë raportuar raste të ndryshme të keqtrajtimit, përfshirë fyerje, goditje, detyrim për të qëndruar me kokën përtokë dhe shtrëngime në fyt.
Situata ka nxitur reagimin edhe të niveleve më të larta të qeverisë. Presidenti Emmanuel Macron zhvilloi një takim urgjent të martën në mbrëmje me kryeministrin Sébastien Lecornu dhe ministrat kryesorë për të diskutuar përshkallëzimin e protestave.
Kryeministri Lecornu, i cili pritet të flasë për situatën gjatë së mërkurës, shkroi në rrjetin social X: “Zëri i nxënësve të shkollave të mesme është i çmuar dhe duhet të dëgjohet.”


