Forcimi i Policisë së Shtetit dhe përgatitja e profesionistëve të rinj për sigurinë publike duhet të nisin që nga formimi i tyre në Akademinë e Sigurisë. Ministri i Brendshëm, Ermal Demo, ka zhvilluar një takim me stafin akademik, ku ka kërkuar një vizion të qartë për zhvillimin e institucionit dhe objektiva konkrete për vitet e ardhshme.
Ministri kërkoi hartimin e një plani të qartë për pesë vitet e ardhshme, duke vënë theksin te përmirësimi i formimit profesional, mbështetja për pedagogët, investimet në infrastrukturë dhe teknologji, si dhe forcimi i bashkëpunimit me akademitë më të mira evropiane.
“Policia që duam të kemi nesër fillon nga Akademia që ndërtojmë sot.
Në takimin me stafin akademik, kërkova një qasje të plotë për zhvillimin e Akademisë: një vizion të qartë se ku duhet të jemi pas pesë vitesh dhe një plan konkret për të arritur atje.
Formim më cilësor, mbështetje për pedagogët, investime në infrastrukturë e teknologji dhe partneritet i qëndrueshëm me akademitë më të mira evropiane. Puna në Akademi duhet të jetë nder dhe përgjegjësi, sepse këtu përgatiten njerëzit që do t’i shërbejnë qytetarit për dekada.
Mbështetja jonë do të jetë konkrete. Por ajo duhet të shoqërohet me objektiva, afate dhe angazhim të përditshëm për ta çuar përpara këtë ndryshim, duke ndërtuar mbi përvojën dhe kontributin e stafit”, shkruhej në postimin e ministrit Demo.
