Një operacion i përbashkët franko-amerikan ka çuar në mbylljen e platformës online “NudeLeaksTeens”, e dyshuar se shiste përmbajtje intime të vjedhur nga më shumë se 17 mijë gra në vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe të mitura.
Zyra e Prokurorit të Parisit bëri të ditur se dy vëllezër, 21 dhe 25 vjeç, të dyshuar si administratorët e platformës, janë arrestuar të martën në veri të Francës.
Sipas autoriteteve, aktiviteti zhvillohej përmes tri faqeve të ndryshme interneti, ku ofroheshin për shitje paketa me përmbajtje intime të marra në mënyrë të paligjshme nga burime të ndryshme. Mes tyre përfshiheshin llogari të hakuara në rrjetet sociale, raste të mashtrimit dhe manipulimit online të të miturve, si dhe materiale të shpërndara pa pëlqimin e personave të përfshirë.
Hetuesit kanë zbuluar se disa prej viktimave ishin të mitura dhe kishin kombësi të ndryshme.
Sipas Prokurorisë së Parisit, përdoruesit e platformës mund të përdornin monedhë virtuale për të marrë të dhëna identifikuese për viktimat. Personat ishin renditur me emrat e tyre të vërtetë dhe të dhënat e tyre ishin kategorizuar, ndër të tjera, sipas moshës, vendbanimit dhe profesionit.
Gjatë kontrolleve në banesat e dy vëllezërve të arrestuar, autoritetet franceze sekuestruan kriptomonedha me vlerë rreth 700 mijë euro, përfshirë Bitcoin, Litecoin, USDT dhe Ethereum.
Prokurori i Parisit u ka bërë thirrje personave që dyshojnë se janë viktima të shpërndarjes pa pëlqim të përmbajtjeve intime në këtë platformë, qofshin shtetas francezë apo të huaj, që të kontaktojnë Njësinë Kombëtare Kibernetike.
Hetimi në Francë po drejtohet nga njësia e krimit kibernetik e Prokurorisë së Parisit dhe po zhvillohet nga njësia kibernetike e Xhandarmërisë Kombëtare.
Autoritetet po hetojnë një sërë veprash penale, përfshirë posedimin dhe shpërndarjen e organizuar të materialeve pornografike me të mitur, pastrimin e parave, vënien në dispozicion të një platforme online për qëllime të paligjshme dhe shkeljen e privatësisë.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përmasat e plota të aktivitetit dhe personat e tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë në këtë rrjet.


