AKTUALITET /

Një vit nga vr*sja e gjyqtarit Astrit Kalaja, magjistratët kërkojnë masa konkrete për sigurinë e tyre

Në deklaratë kërkohet edhe miratimi i një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.

Shkruar nga Versus

Një vit nga vr*sja e gjyqtarit Astrit Kalaja, magjistratët

Një vit pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, organizatat e magjistratëve kërkojnë ndërhyrje konkrete nga institucionet për garantimin e sigurisë së gjyqtarëve, prokurorëve dhe institucioneve të drejtësisë.

Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve, në një deklaratë të përbashkët, kërkojnë që Astrit Kalajës t’i njihet statusi “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa familja dhe fëmijët e tij të marrin një trajtim institucional dinjitoz.

Një tjetër kërkesë është krijimi i një strukture të posaçme policore për sigurinë e gjykatave dhe prokurorive. Organizatat kërkojnë gjithashtu ngritjen e një mekanizmi për vlerësimin e kërcënimeve dhe mbrojtjen e magjistratëve të rrezikuar dhe familjeve të tyre.

Në deklaratë kërkohet edhe miratimi i një kuadri ligjor gjithëpërfshirës për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.

“Siguria e magjistratëve është garanci për çdo qytetar që kërkon drejtësi pa frikë dhe pa presion”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Organizatat theksojnë se mbrojtja e gjyqtarëve, prokurorëve dhe institucioneve ku ata ushtrojnë detyrën është përgjegjësi e shtetit.

Në përfundim, ato u bëjnë thirrje institucioneve që të ndërmarrin masa pa vonesa të mëtejshme, duke paralajmëruar se nuk duhet pritur humbja e një tjetër magjistrati për të forcuar sigurinë në sistemin e drejtësisë./Versus.al

Poll