Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) pritet të kthehet në një nga institucionet me fuqinë më të madhe ekonomike dhe tenderuese në vend. Një projektligj i propozuar nga Ministria e Mbrojtjes e kalon kompetencën e tenderave për mbrojtjen civile tek AKMC, duke i hequr këto proccedura prokurimi nga bashkitë apo institucionet e tjera.
Në ligjin ekzistues të vitit 2019, AKMC-ja kishte kryesisht një rol koordinues, teknik dhe monitorues. Kur ndodhnin fatkeqësi natyrore ose kur duheshin blerë mjete logjistike (si zjarrfikëse, pajisje shpëtimi apo ndërhyrjeje), tenderat zhvilloheshin në mënyrë të decentralizuar nga vetë ministritë e linjës (si ajo e Infrastrukturës, Shëndetësisë apo Mbrojtjes) dhe nga 61 bashkitë e vendit sipas territoreve të tyre.
Projektligji i ri i propozuar përmbys tërësisht këtë skemë përmes ndryshimeve në Nenin 23, ku AKMC-së i jepet zyrtarisht statusi i Organit Qendror Blerës. Ky ndryshim specifikon se agjencia merr kompetencën ekskluzive për:
• Rindërtimin e infrastrukturës kritike: Lidhjen e marrëveshjeve me operatorët ekonomikë për rehabilitimin dhe rindërtimin e infrastrukturës së dëmtuar nga fatkeqësitë në emër të të gjitha institucioneve të tjera.
• Blerjet logjistike operative: Hartimin e standardeve dhe blerjen e centralizuar të të gjitha mjeteve dhe pajisjeve logjistike për të gjitha strukturat operacionale të Sistemit Kombëtar të Mbrojtjes Civile.

Për vitin 2026, buxheti i akorduar për Emergjencat Civile dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) kap një vlerë totale prej 5.1 miliardë lekësh (afro 53 milionë euro).
Fondi prej 5.1 miliardë lekësh administrohet nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Ai përfshin fonde për investime infrastrukturore (si rehabilitimi i digave), blerjen e makinerive dhe pajisjeve të reagimit emergjent, rritjen e pagave të personelit si dhe fondet për dëmshpërblimin e qytetarëve të prekur nga fatkeqësitë natyrore./ Kapitali.al













