Zbardhet dëshmia ,"shoferi" i Agasit, Shpatarku: E mora në makinë, s’e njoha

Nga Armand Bajrami
7 Tetor 2026, 19:07 | Kronikë

Zbardhet dëshmia ,"shoferi" i Agasit, Shpatarku: E mora në

Ulian Shpataraku, ish-funksionari i Policisë së Shtetit që drejtonte automjetin në të cilin u arrestua Ergys Agasi, ka deklaruar para hetuesve se nuk e ka njohur biznesmenin e kërkuar nga SPAK për dosjen “AKSHI”.

Pas arrestimit pranë mbikalimit të Plepave në Durrës, Shpataraku ka pretenduar se kishte marrë si pasagjer në mjet një person që i kishte bërë shenjë, teksa po udhëtonte nga Elbasani drejt Durrësit.

“Si mund ta njihja unë z. Agasi që ishte në kërkim, kur z. Agasi, kur hipi në makinën time, ishte me mjekër, me kapele, me shapka”, është shprehur Shpataraku.

Ish-zyrtari i policisë ka treguar se ka zhvilluar bisedë me personin, i cili i ka thënë se quhej Berti dhe merrej me dyer alumini. Sipas tij, deri në atë moment nuk e kishte ditur se bëhej fjalë për Ergys Agasin.

I pyetur nëse zakonisht ndalonte për persona që i bënin shenjë në rrugë, i dyshuari është përgjigjur: “Ndaloj”. Më tej, ai ka pohuar se zakonisht nuk kishte frikë, pasi ishte besimtar.

Shpataraku, i cili u la në masën “arrest në burg” për “përkrahje të autorit të krimit”, ka rrëfyer se më 26 gusht kishte udhëtuar nga Durrësi në Elbasan për të pirë një kafe me dy miq të tij.

Ai ka pranuar se ka shkuar me një mjet “Audi” të një shoku, me emrin Tomi, por që nuk ia dinte mbiemrin.

I pyetur për një ndalesë te Tregu Agro-Ushqimor, Shpataraku është shprehur: “Të vesh te tregu, nuk është krim dhe nuk je kriminel. Tregu është zonë shumë e madhe”.

Përmes raporteve të vëzhgimit, SPAK ka dokumentuar të gjitha lëvizjet e mjetit “Audi”, në të cilin udhëtonin Agasi dhe Shpataraku, ditën e prangosjes së tyre.

Sipas vëzhgimit me dron, mjeti “Audi” me ta në bord ka dalë nga një kompleks vilash në Shkozet, në orën 12:02 të datës 26 gusht.

Mjeti është ndjekur në distancë gjatë rrugëtimit drejt Elbasanit, derisa ka shkuar në zonën e Tregut Agro-Ushqimor.

Sipas dosjes hetimore, në këtë moment vëzhgimi është ndërprerë, për të rinisur në orën 18:16.

Mjeti “Audi” është lejuar të vijojë rrugëtimin drejt Durrësit dhe, pranë mbikalimit të Plepave, u organizua operacioni ku u prangosën Agasi dhe Shpataraku.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos