11 vite e 6 muaj burg është dënimi i dhënë nga Gjykata e Cuneos për sipërmarrësin shqiptar Altin Jakini, i shpallur fajtor për tentativën e vrasjes së një 28-vjeçari shqiptar në Itali.
Ngjarja ndodhi në tetor të vitit 2023 në Manta, ndërsa fillimisht u raportua si një aksident automobilistik. I riu kishte dalë nga rruga me makinën e tij dhe ishte gjetur në gjendje të rëndë nga ekipet e emergjencës.
Por dëshmia e tij para se të futej në sallën e operacionit ndryshoi drejtimin e hetimeve. 28-vjeçari i tregoi një karabinieri identitetin e personit që, sipas tij, e kishte qëlluar me armë.
Nga hetimet rezultoi se ndaj të riut ishte qëlluar nga një furgon që drejtohej nga Jakini. Arma e përdorur ishte një pistoletë e kalibrit 22.
Prokurorja Francesca Lombardi kishte kërkuar një dënim prej 15 vitesh burg, duke kërkuar që të merrej parasysh edhe rrethana rënduese e paramendimit. Gjykata, megjithatë, nuk e ka pranuar këtë rrethanë dhe ka caktuar dënimin me 11 vite e 6 muaj burg.
Në të njëjtin proces është dhënë edhe një vendim për Andrea Dedin, në atë kohë punonjës i Jakinit. Ai ishte akuzuar se kishte ndihmuar në realizimin e atentatit, por gjykata e ka shpallur të pafajshëm.
Të dy shqiptarët, si Jakini ashtu edhe 28-vjeçari, jetonin në Manta. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë procesit, në qendër të konfliktit dyshohet se ka qenë xhelozia.
Jakini dyshonte se 28-vjeçari, i cili punonte si murator, kishte një lidhje me të dashurën e tij dhe e shihte si rival. Në ditët para atentatit, i riu kishte tentuar ta qetësonte sipërmarrësin, duke i thënë se nuk kishte arsye për dyshime.













